Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri beson se ka ardhur koha që LDK-ja ta marrë Presidencën.
Në një intervistë për Express, Haziri është përgjigjur për mundësinë që LDK-ja ta lëshojë postin e kryeministrit në këmbim të postit të presidentit, për mundësinë që vetë të bëhet kryetar i LDK-së, si dhe për kandidaturën e tij të mundshme për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Gjykata Speciale pret të prodhojë drejtësi, më shumë sesa heronj të rinj. Për shkak të Speciales, Haziri nuk mendon se duhet të ndalet dialogu me Serbinë, përmbyllja e të cilit beson se do të ndodhë gjatë administratës së Joe Biden.
Express: Pas konfirmimit të aktakuzave kundër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së, situata politike në vend po cilësohet si tepër e vështirë. Në këtë situatë, zonja Vjosa Osmani dhe z. Ramush Haradinaj kanë kërkuar ndërprerjen e përkohshme të dialogut me Serbinë. Si ju duket kjo kërkesë dhe si do të vepronit po të ishit ju kryeministri?
Lutfi Haziri: Në radhë të parë duhet ta vlerësojmë sjelljen prej burrështetasve të atyre që iu konfirmua aktakuza e që kanë qenë bartës të funksioneve të larta politike dhe shtetërore dhe sjellja karshi situatës dhe krizës politike natyrisht ka bërë që ta shtendos opinionin publik, t’shtendos pakënaqësitë e qytetarëve, në veçanti të njerëzve që besojnë dhe i kanë votu këta individë. Praktikisht, ballafaqimi me drejtësinë për mua është pastrimi i luftës me anë të drejtësisë, përfundimisht, procesit të tretë ndërkombëtar që po ndodh. E sa i përket proceseve tjera, nuk mund të ndalet asgjë sepse dielli lind prapë dhe duhet të vazhdojmë t’i trajtojmë problemet e brendshme që janë: pandemia, si prioritet i lartë dhe ekonomia. Me pandeminë, në veçanti duhet të merremi me planin kontigjent shtetëror për menaxhimin e pandemisë në kohë dimërore, sepse rriten rastet sociale dhe problemet tjera. Në aspektin ndërkombëtar, dialogu është e vetmja rrugë dhe i vetmi mekanizëm për zgjidhjen e problemit me Serbinë dhe problemeve tjera që i kemi ne si republikë e re.
Express: Disa, përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, z. Enver Hoxhaj, thonë se një dënim i mundshëm i ish-udhëheqësve të UÇK-së apo edhe vetë procesi gjyqësor ndaj tyre do t’i lëkundë themelet e shtetit. Si e shihni ju këtë?
Lutfi Haziri: Nuk mund të paragjykojmë. Shprehet drejtësia, do të presim dhe do të duhet të besojmë. Drejtësia mund të vonojë, por gjithmonë del dhe do të dalë. Ne si LDK e kemi vlerësuar jashtëzakonisht shumë sjelljen prej burrështetasve, pjekurinë politike, gatishmërinë politike dhe njerëzore për t’u ballafaquar me drejtësinë të atyre që iu është konfirmuar aktakuza dhe atyre që pritet të jenë pjesë e Dhomave të Specializuara, sepse do të thirren edhe të tjerë që do të duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Tani, 21 vjet pas luftës, a është vonë? Po. A është sosë durimi? Te shumica prej nesh po. Por duhet të besojmë dhe duhet ta presim rezultatin final. Duhet të besojmë më shumë që kjo gjykatë do të prodhojë drejtësi sesa heronj të rinj.
Express: Z. Ramush Haradinaj konsideron se është i duhuri për president në mungesë të z. Thaçi dhe z. Veseli, ndërsa ju e keni cilësuar si befasi kandidaturën e tij për president. Pse?
Lutfi Haziri: Jam befasuar me qëndrimin e AAK-së për kandidaturë në kohën kur e kanë dhënë, sepse ne jemi partnerë të koalicionit dhe kam besu që LDK, AAK, Nisma dhe të tjerët -forcat politike që janë kryesisht të minoriteteve- duhet të diskutojnë për nevojën e zgjedhjes së presidentit. Dalja me një emër edhe përtej partnerëve të koalicionit, edhe brenda partnerëve të koalicionit është e natyrshme, por duhet të gjendet një emër i cili mund ta ketë mbështetjen e madhe të deputetëve, e në veçanti respektin e qytetarëve të Kosovës, e jo një president pa respekt të qytetarëve. Z. Haradinaj e ka pasë besimin e LDK-së gjithmonë, edhe si kryeministër. Edhe si kryeministër në koalicion me LDK-në, edhe si kryeministër në koalicionin me PAN-in, ne bashkëpunimin partiak dhe politik me z. Haradinaj e kemi zhvillu që prej pasluftës, kemi ndërtu mirëbesim në qeverisje, por edhe LDK-ja në këto rrethana po sillet konform gjendjes politike. Kjo kërkon racionalitet, kërkon kompromis politik dhe kompromisi politik i bie partive që janë qeverisëse, e jo opozitës në këtë rast.
Express: Në synimin për t’u bërë president, z. Haradinaj u ka kërkuar vota “borxh” partive opozitare, të cilat tha se do t’ua kthente në një rast tjetër. Si e keni parë këtë mënyrë të negocimit? A ka LDK-ja vota “borxh” për z. Haradinaj?
Lutfi Haziri: Në raport me LDK-në nuk ka qenë kjo kërkesë, ka qenë në raport me partitë e opozitës sa e kam kuptu unë. Por, ky është dialog politik, iniciativë politike dhe z. Haradinaj njihet për natyrën e tillë të këmbngulësisë, edhe dhe kokëfortësisë politike në kërkesën e tij. Ne kemi përvojën e bashkëpunimit siç e thashë më herët, por e kemi edhe përvojën kur nuk kemi mbërri të finalizojmë partneritetin tonë, siç ka qenë koha e VLAN-it dhe natyrisht, përtej kësaj besoj që për LDK-në nuk është problem emri i tij -përkundrazi- por është problem rruga përmes së cilës do të arrijmë ta zgjedhim një president i cili është i pranueshëm për shumicën e madhe të deputetëve dhe që ta ketë edhe mbështetjen e qytetarëve.
Express: Keni thënë se LDK-ja ka një ndjeshmëri emocionale me Zyrën e Presidentit për shkak të Presidentit Rugova. Duke qenë kështu, a do të ishte e gatshme LDK-ja të hiqte dorë nga posti i kryeministrit për ta marrë postin e presidentit?
Lutfi Haziri: Jo. Nuk është kjo rruga e mirë dhe e shkurtër, por ajo që unë besoj, është se ka ardhë koha që LDK-ja ta marrë Presidencën dhe ta udhëheqë, sepse ne do të arrijmë të mbulojmë, të bëhemi jorgan i gjerë për të gjitha subjektet politike dhe do të arrinim që t’i kalojmë proceset e brendshme dhe ndërkombëtare me një menaxhim dhe pritjet që janë ndaj tërë këtij procesi t’i realizojmë suksesshëm. Ky është besim i imi dhe unë besoj që duhet të shqyrtohet ose vlerësohet si një opsion i mundshëm që të realizohet. Deri atëherë, ne e mbështesim Qeverinë. Nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromise në kurriz të Qeverisë aktuale, jo vetëm për shkak të LDK-së, por për shkak të partnerëve të koalicionit. Kemi hyrë me ta në mirëbesim dhe dëshirojmë që me mirëbesim t’i zgjidhim problemet, në shkallën e parë. Ndërsa në shkallën e dytë, duhet që partnerët e koalicionit dhe opozita të ulen dhe ta gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe një format dialogu duhet të ndërtohet shpejt, i cili i jep vendit president, Qeveri apo mundësisht edhe datë të zgjedhjeve sepse nuk përjashtohet ky opsion.
Express: Ju -siç keni thënë edhe më herët- besoni se LDK-ja do të mund t’ia ofronte një figurë uniteti Zyrës së Presidentit. A është z. Isa Mustafa kjo figurë?
Lutfi Haziri: Po.
Express: Në rast të zgjedhjes së z. Mustafa president, a do të ishit të gatshëm ta merrnit ju drejtimin e LDK-së?
Lutfi Haziri: Nuk lidhet tash me mua, as me ndonjë emër tjetër të përvetshëm. Një periudhë tranzicioni natyrisht që ka me pasë nevojë me kalu për shkak të Kushtetutës së Republikës, e cila i ndan detyrat partiake dhe shtetërore. Por, një rikthim i LDK-së në Presidencë eventualisht do të krijonte një ambient të mirë mirëbesimi jo vetëm te anëtarësia e LDK-së dhe strukturat e LDK-së, por edhe te partitë tjera. Nën udhëheqjen e LDK-së në Presidencë janë zgjidhë gjithmonë problemet e mëdha, përkundër krizave të kohës. Është arritur liria, pavarësia dhe demokracia në këtë vend, është arritur protektorati ndërkombëtar në këtë vend, administrimi i UNMIK-ut për tetë vite, është arritur statusi final dhe shpallja e pavarësisë së Republikës, është përballu gjendja post-indipendente në Kosovë përkundër krizave të prodhuara deri tash. Dhe ky ndërrim i rolit të LDK-së sidomos prej janarit të vitit 2018, LDK-së i ka dhënë rol të faktorit politik pa të cilët nuk mund të zgjidhet asnjë problem dhe nuk mund të krijohet stabilitet politik në njërën anë, por në anën tjetër, edhe mundësi partive tjera që të dëshmohen. Deri tash, ju po e shihni se nuk po prodhon stabilitet. Nuk është prodhu stabilitet as në institucione ekzekutive, as në institucione përfaqësuese.
Express: A do ta riinkuadronit zonjën Vjosa Osmani në njërën prej pozitave të rëndësishme në parti në rast se do të bëheshit kryetar i LDK-së? Meqenëse ju keni votuar kundër shkarkimit të saj nga pozita e nënkryetares…
Lutfi Haziri: Unë në radhë të parë nuk e lidhi këtë tranzicion me emrin tim. Nuk e di kush ka me qenë individi, ekipi apo grupi i cili do ta menaxhojë periudhën e tranzicionit, por unë jam për unifikim të të gjitha pakënaqësive të vogla, të të gjitha copave të vogla dhe të gjitha atyre 13 iniciativave që LDK-ja i ka ballafaqu prej vitit 2000 deri në 2020 që kanë dalë të pakënaqur prej LDK-së duhet me i zgju nga gjumi, mos me i lënë në gjumë dhe me i afru në strukturat e veta, pavarësisht se kush janë.
Express: Para zgjedhjeve të fundit, ju dhe zonja Vjosa Osmani ishit opsionet e brendshme të LDK-së si kandidatë për kryeministër; në fund ju u tërhoqët dhe LDK-ja garoi me zonjën Osmani. Tani, a e konsideroni të gabuar tërheqjen tuaj?
Lutfi Haziri: Jo, në asnjë mënyrë. Unë kam qenë kandidat i barabartë. Ia kam dhënë mbështetjen sepse koha ka kriju dhe a po e shihni se çfarë është prodhu, kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentit. Nuk besoj që efekt më të madh nuk kam mundur të bëjë askush në këtë rast. Megjithatë, unë jam gjithmonë për marrëveshje, gjithmonë jam për konsensus, gjithmonë jam për arritje të qëllimeve përmes dialogut në funksion të demokracisë, asnjëherë në dëm të demokracisë. Edhe kur e kam mbështetë z. Fatmir Sejdiu, edhe kur e kam mbështetë z. Nexhat Daci edhe gjithë atë profil të njerëzve dhe autoriteteve të mëdha të LDK-së, mua më kanë bërë nder. Gabimin që e kemi bërë në vitin 2006 karshi akademik Nexhat Dacit si kryetar i Kuvendit, LDK-ja nuk guxon me leju. Ajo plagë ende nuk është shëruar, te votuesi, te anëtarësia e LDK-së ende nuk është harruar, por nuk guxon të lejohet asnjëherë që të përsëritet.
Express: Ju konsideroheni si figura unitare e LDK-së. A do të kandidoni për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme?
Lutfi Haziri: Unë jam komod me detyrën që jam duke e ushtruar sepse kam marrë edhe detyrë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve të Gjilanit në veçanti, dhe jam po ashtu i mjaftueshëm si nënkryetar i LDK-së. Jam duke e kryer detyrën time me kapacitetet dhe mundësitë që i kam, shumë më shumë si kryetar i Gjilanit sesa si nënkryetar i LDK-së -për shkak të kohës dhe mundësisë-, por kurrgjë më shumë nuk kërkoj prej LDK-së. Do t’ia jap maksimumin tim të dijës dhe mundësive deri në ditën e fundit, vetëm që ta rikthejë si parti e parë në Republikën e Kosovës. Këtë ia kemi borxh të gjithë ne, veprimtarët e LDK-së. Ta rikthejmë dhe rikthimin e madh duhet ta organizojmë shpejt si parti e parë dhe parti kryesore në Republikën e Kosovës.
Express: Jeni shprehur i lumtur për fitoren e z. Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Për dallim nga z. Donald Trump, çfarë do të ndryshojë në Kosovë fitorja e z. Joe Biden?
Lutfi Haziri: Z. Biden është njëri prej politikanëve që e ka dizajnuar në mënyrë aktive -jo vetëm që ka kontribuar- çlirimin e Kosovës. Duke qenë kryesues i Komitetit të politikës së jashtme, duke qenë po ashtu bashkëkryesues mbipartiak që t’i koordinojë punët konkrete në politikën e jashtme amerikane dhe njohësi më i mirë i politikës në Ballkan dhe njohësi më i mirë i problemeve shqiptaro-serbe në Ballkan po ashtu. Gjithashtu, Gjilani e ka një lidhje të veçantë me djalin e tij i cili është ndarë nga jeta, Beau Biden, i cili ka shërbyer edhe si ushtar, ushtarak në sektorin e Lindjes, por ka zhvillu shumë edhe institucione të drejtësisë në komunën tonë në Gjilan. Kjo është arsyeja se pse unë e kam iniciu emërimin e rrugës Gjilan – Ferizaj me emrin e tij dhe Qeveria e ka adaptu një propozim të tillë. Ne kemi një mik që do të mbes gjithmonë i gjallë për ne, ndërsa presidenti i radhës është zgjedhur -shumë besoj- edhe në fatin e Kosovës. Edhe kësaj here, Zoti ka qenë në anën tonë dhe unë besoj shumë që përmbyllja e procesit të normalizimit me Serbinë ka me pasë vulën e Joe Biden.