Ish-ministrja e Drejtësisë njëherësh anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka folur për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Hoti, për postin e presidentit, për zgjedhjet e reja parlamentare dhe për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.
Haxhiu duke komentuar situatën aktuale politike tha se PDK nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë, dhe se subjektet politike kanë frikë të shkojnë në zgjedhje të reja parlamentare.
“Ju e dini shumë mirë mesazhin që e kanë dhënë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019. Pastaj, u bënë bashkë klubi i stërvjetëruar i politikanëve të korruptuar dhe të shantazhuar, në mënyrë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti dhe pastaj ta krijojnë një qeveri që nuk ka as mbështetjen e qytetarëve të Kosovës por as mbështetjen e Kuvendit të Kosovës. Sepse siç e dini aktualisht në Kuvend janë afër 50 pika që nuk po marrin mbështetjen e deputetëve për faktin se qeveria aktuale nuk i ka numrat në Kuvend”, u shpreh Haxhiu.
Gjatë intervistës, Haxhiu theksoi se nuk po mund të procedojnë formalisht mocionin e mosbesimit pasi që nuk kanë 40 nënshkrime.
“Ne nuk po mund ta procedojmë formalisht mocionin në Kuvend tek zyrat përkatëse, për faktin se nuk i kemi 40 nënshkrime, edhe PDK e dinë se Grupi Parlamentar i LVV-së i ka 31 deputetë, na duhen edhe 9 nënshkrime për ta plotësuar kushtin formal për ta proceduar. Pas zgjedhjeve, duhet të bisedojmë për çështjen e presidentit. Unë e kam një përshtypje që aq keq do të dalin partitë politike në zgjedhje sa që kanë me u tmerru me shku sërish në zgjedhje. Besoj që subjektet politike e kanë marrë mesazhin me komunën e Podujevës”, potencoi ajo.
Ndër të tjera, ajo tha se PDK dëshiron të zhvillojë një takim me LVV-në për të diskutuar se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve, sipas saj, për një bashkëpunim të mundshëm mes këtyre partive pas zgjedhjeve.
“Kushti i PDK-së ndonëse ka pasur kushte të shumta por kjo më tepër flet për mungesën e seriozitetit por edhe të vullnetit për ta rrëzuar qeverinë aktuale sepse sondazhet që i vijnë subjekteve politike i shkojnë edhe PDK-së, edhe LDK-së. PDK sipas sondazheve qëndron më pak se sa që ka marrë në zgjedhjet e tetorit 2019, LDK ndoshta është e treta për të mos thënë shumë afër AAK-së, kur them shumë afër AAK-së, d.m.th flitet për një 10 përqindësh, ka rënë poshtë për shkak të veprimeve të saj”, deklaroi ajo.
Haxhiu u shpreh se LDK ka mashtruar votuesit e saj.
“Këta me dy këmbët shkelen vullnetin e qytetarëve dhe mashtruan ata sepse siç e dini ata kanë pasur Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre, por menjëherë pas zgjedhjeve pushtetin dhe vendimet i morën personat që nuk kanë dalë me u mat në popull, si Isa Mustafa, Agim Veliu e të tjerë. Kjo ka sjellë situatën që të gjitha subjektet politike refuzojnë të shkojnë në zgjedhje, i vetmi subjekt politik që përnjëmend kërkon të legjitimohet kuvendi dhe të zgjidhet qeveria e re është Vetëvendosje dhe jemi këmbëngulës në këtë”, pohoi ajo.
Haxhiu në emisionin “Përballje” ka folur edhe për çështjen e presidentit, duke thënë se presidenti duhet të zgjidhet pasi të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Sipas Haxhiut, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja në muajt e parë të vitit 2021./Telegrafi/