LAJME

Haxhiu e gatshme të ndihmojë në çështjen e Presidentit

Haxhiu e gatshme të ndihmojë në çështjen e Presidentit
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Prill 2026, 14:36

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së kreut të shtetit.

“Tashmë takimet po vazhdojnë. Ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe [takimet] do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim” – tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Endrit Shabani.

Mandati i Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës përfundoi më 04.04.2026 dhe ulësen e të parës së shtetit, përkohësisht e zuri kryeparlamentarja Haxhiu.

Ndërkohë, kanë mbetur vetëm edhe 21 ditë afat që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese për të zgjedhur Presidentin e vendit. Ende nuk ka asnjë marrëveshje mes partive politike.

Më 06.04.2026, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, zhvilloi takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për një ujdi për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Asnjë marrëveshje nuk u arrit.

Abdixhiku, pas takimit me Kurtin, paralajmëroi vazhdimin e takimeve edhe me liderët e tjerë politikë, përfshirë AAK-në dhe PDK-në.

“Nuk kemi ndonjë të re; takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë do të takoj edhe liderët e tjerë,” tha ai.

“Çdo marrëveshje për presidentin e ardhshëm është e mirëseardhur,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, optimist për një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit u shpreh kryeministri Albin Kurti.

“Na kanë ngelur edhe tri javë deri te zgjedhja e Presidentit. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive. Jemi të vendosur të shmangim zgjedhje të reja. Është e vështirë të paramendojmë një fushatë zgjedhore ku risjellim platformat dhe programet tona me të njëjtat zotime, kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që mund të jetë shumë ndryshe. Ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 deputetëve për formimin e Qeverisë,” u shpreh ai.

Kurti ka përsëritur se janë të vendosur të shmangin zgjedhjet.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika