Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj gjatë konferencës në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt: Së bashku për njohje dhe mbështetje, ka thënë se në Kosovën e pasluftës, shumë gjëra u numëruan përfshirë shtëpitë e djegura, masakrat, njerëzit e vrarë, të pagjeturit e çdo plagë tjetër por ajo që kishte mbetur brenda njeriut, duke iu referuar dhunës seksuale gjatë luftës, mbeti gjatë në heshtje.
Haxhiu ka thënë se as misionet ndërkombëtare që erdhën në Kosovë për këtë qëllim, asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve që Serbia i kreu. Ajo iu bëri thirrje institucioneve të drejtësisë në Kosovë që të mos e ndalin angazhimin për adresimin e krimeve të luftës.
“Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një prej krimeve që u mbajt shumë gjatë në heshtje. U bë strehë për një dhimbje që njeriu e mban me vete, edhe kur mbaron lufta. Për këtë krim, fjala erdhi vonë ngase rrethohej me shumë frikë, shumë turp dhe shumë gjykim. Për këtë arsye, sot duhet të flasim me shumë kujdes. Rrëfimi u takon personave të dhunuar gjatë luftës. Ne jemi këtu për ta thënë qartë se Republika e Kosovës, Republika jonë, u ka borxh njohje, drejtësi dhe kujdes shtetëror”, u shpreh Haxhiu.





