Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të themelohet, duke anashkaluar Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, çdo modalitet për ta anashkaluar ekzekutivin, nënkupton amnisti për Qeverinë nga vendimmarrja për këtë mekanizëm, kundër të cilit është.
Hasani e ka thënë këtë, në një intervistë të shkurtër për KOHËN, tek ka komentuar paralajmërimin e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, se SHBA-ja do të angazhohet për formimin e Asociacionit dhe se nëse Qeveria refuzon të përfshihet në të, mund të zhvillohen diskutime me partnerë alternativë, përfshirë shoqërinë civile.
Por, Hasani, i cili është edhe profesor i të drejtës ndërkombëtare, ka thënë se kurrkujt nuk mund t’i barten kompetencat e Qeverisë. Ai ka thënë se ka qenë dhe është gabim që kaq gjatë Kosova nuk ka dalë me propozim të vetin për Asociacionin, dhe ka shprehur frikën që në fund, përveç Asociacionit, Kosova do të detyrohet të ofrojë edhe një autonomi regjionale në veriun e banuar kryesisht me serbë.
KOHA: A mund të ketë forma alternative kushtetuese për përgatitjen dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa e përfshirë Qeverinë?
Hasani: Jo. Kushtetuta është e qartë sa i përket kompetencave të Qeverisë së Kosovës: ajo propozon dhe zbaton politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit. Këtij detyrimi kushtetues nuk mund t’i ikë askush. Përveç kësaj, ekziston edhe një aktgjykim i qartë i Gjykatës Kushtetuese në rastin e PAN-it që thotë se kompetenca e qeverisë për propozim dhe zbatim të politikës së jashtme nuk mund të tjetërsohet dhe as të bartet në të tjerët.
KOHA: Çfarë do të nënkuptonte për Qeverinë Kurti, një përpjekje e këtillë – pra, për ta anashkaluar atë në procesin e themelimit të Asociacionit?
Hasani: Kjo përpjekje, pa asnjë dyshim, synon amnistimin e qeverisë aktuale, sepse mëton të shoqërorizojë një kompetencë kushtetuese të qeverisë. Qytetarët dhe shoqëria civile nuk kanë asnjë kompetencë kushtetuese për propozim dhe zbatim të politikës së jashtme të vendit. Kjo që synohet të bëhet, rrënon rendin kushtetues, dërgon në sferën populiste të një kompetence të qartë kushtetuese të ekzekutivit të vendit. Askush nuk mund të thotë në fund, sikur Pont Pilati, se populli më kërkoj një gjë, dhe unë veprova sipas dëshirës së tij. Populli ka thënë qartë se kush përfaqëson Kosovën me votën e lirë. Shoqëria civile, gjithashtu, nuk ka as kompetencë profesionale e as legjitimitet politik për t’u futur në vend të pushtetit: nuk është detyrë e saj të mbrojë pushtetin, por të korrigjojë veprimet e tij. E thënë ndryshe, shoqëria civile nuk guxon të bëhet filiale e pushtetit politik, sepse do të kthehej në të kundërtën e saj, do të tradhtonte misionin e vet primar, do të futej në armiqtë e shoqërisë civile, siç do të thoshte Karl Poper.
KOHA: Si do të mund të funksiononte Asociacioni, në rrethanën kur nuk e ka mbështetjen e Qeverisë?
Hasani: Pas themelimit të tij, Asociacioni, nëse bëhet ashtu siç synojnë serbët, nuk do të ketë nevojë fare për qeverinë qendrore. Vetëm akti i themelimit dhe i vënies në jetë kërkon bekimin dhe mbështetjen e qeverisë, jo edhe funksionimi i tij i mëpastajmë. Gjykuar sipas kompetencave që do t’i ketë, bazuar në një plan gjerman që deri më tani ka qenë në qarkullim, Asociacioni vihet në pozitë të favorshme ndaj pushtetit qendror, i cili mbetet një servis i Asociacionit, jo anasjelltas.
KOHA: Si duhet adresuar çështja e Asociacionit?
Hasani: Ka qenë dhe është gabim që kaq gjatë Kosova nuk ka dalë me propozim të vetin për Asociacionin, duke bërë të qartë pozitën e saj, me fillim nga emërtimi i tij, kompetencat, pozita juridiko-kushtetuese dhe marrëdhëniet me shtetin e Kosovës. Sa më gjatë që shtyhet kjo punë, më favorshëm del pala tjetër. Kam frikë që në fund, përveç Asociacionit, do të detyrohemi të formojmë edhe një autonomi regjionale në veri të vendit, sepse nuk shoh si ka mundësi riintegrimi i tri pushteteve shtetërore në atë pjesë të vendit.