Vjosa Osmani si u.d e presidentit mund të mos jetë ajo që do ta mandatojë për kryeministër Albin Kurtin e Vetëvendosjes, pasi që subjekti në të cilin ai udhëheq mori shumicën e votave nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Proceduralisht kreun e ri të Qeverisë mund ta mandatojë cilido person që Vetëvendosje e propozon për kryeparlamentar.
Deri në zgjedhjen e presidentit të ri, kreut të Parlamentit të ri i kalojnë kompetencat e u.d në pozitën më të rëndësishme të shtetit.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përfunduar me numërimin e votave të rregullta nga zgjedhjet e 14 shkurtit. KQZ-së i kanë mbetur vetëm edhe votat me postë, ato me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara për të certifikuar pastaj rezultatin final që e saktëson edhe kush nga sa ulëse merr në Kuvend të Kosovës në legjislaturën e re.
Nga votat e numëruara deri më tani, LVV-ja me kandidat për kryeministër Albin Kurtin radhitet si parti e parë me një diferencë të madhe nga partia e dytë dhe e tretë.
Shefi i LVV-së që nuk u certifikua si kandidat për deputet e rrjedhimisht nuk figuron në listën e votave sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe personi që ky subjekt do ta propozojë për kryeministër.
Pavarësisht se tashmë janë dhënë sinjale se partitë e opozitës mund t’iu drejtohen Kushtetueses për ta interpretuar ligjshmërinë e zgjedhjes së Kurtit si kryeministër, në partinë e tij nuk kanë përmendur publikisht nëse ekziston mundësia që dikush tjetër të jetë propozim i përkohshëm i tyre.
Deri më tani mbetet që Albin Kurti të jetë propozimi i Vetëvendosjes si shef qeverie.Por, kush do ta mandatojë atë në këtë pozitë pasi që dihet se vendi po funksionon me u.d të presidentit?
Albin Kurtin mund të mos e mandatojë Vjosa Osmani si kandidat për kryeministër, pasi që proceduralisht personi që Vetëvendosje e emëron për kryeparlamentar do të jetë edhe u.d i presidentit deri në zgjedhjen e një presidenti të ri që votohet në Kuvend të Kosovës.Eugen Cakolli nga KDI thotë për Gazeta Express se pas certifikimit të rezultatit final të zgjedhjeve, konsitutohet Kuvendi që do të thotë bëhet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit të ri të Kuvendit.
Sipas Kushtetutës, LVV-së si parti e parë e dalë nga zgjedhjet i takon që të propozojë një emër në krye të Kuvendit. Ai ose ajo do të jetë përkohësisht personi që do ta zëvendësojë Vjosa Osmanin si u.d e presidentit, e që sipas të gjitha gjasave do ta mandatojë edhe Kurtin.
“Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, fillimisht do të procedohet me konstituimit të Kuvendit. Konstituimi nënkupton zgjedhjet e kryetarit dhe nënkryetarëve të rinj të Kuvendit. Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, i njëjti do të marrë automatikisht funksionin e ushtruesit të detyrës së Presidentit, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri”, thotë Cakolli.Nga KDI shtojnë se nëse Kuvendi nuk zgjedh edhe presidentin pas konstituimit, atëherë presidenti i ri legjitim e bën mandatimin e kandidatit për kryeministër që del nga partia fituese.
“Nëse Kuvendi nuk do të zgjedhë së pari Presidentin e ri, atëherë ushtruesi i detyrës do të jetë përgjegjës për mandatimin e kandidatit për kryeministër të vendit, i cili do të propozohet nga subjekti fitues. Ndërsa, nëse zgjidhet Presidenti i ri para mandatimit, atëherë kjo kompetencë kushtetuese do të ushtrohet automatikisht nga Presidenti i ri legjitim”, thonë nga KDI.Pa votat me kusht, të diasporës dhe të personave me nevoja të veçanta, Lëvizja Vetëvendosje numëron 378 mijë e 550 vota, që në përqindje i bie 47,85% të votave të përgjithshme.Kushtetuta e Kosovës e saktëson se Presidenti i Republikës është ai që e thërret seancën e parë të Kuvendit, në këtë rast seanca do të thirret nga u.d e presidentit, Vjosa Osmani.Në seancën e parë seanca që udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i votuar në atë legjislaturë propozohet Kryetari i Kuvendit, emër që del nga subjekti më i votuar në zgjedhje. Pastaj zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.Tre nënkryetarë propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa zgjidhen me shumicë të votave të deputetëve.Kushtetuta ndërkaq thotë se presidenti i vendit është ai që i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, e kjo bëhet në konsultim me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshëm në Kuvend.Vjosa Osmani që ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit në koalicion me LVV-në e Albin Kurtit ka marrëveshje parazgjedhore që e njëjta të jetë propozim i tyre për president të vendit.Si u.d e presidentit ajo është emëruar që nga 5 nëntori i vitit 2020-të në ditën kur edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje për t’u nisur drejt Hagës pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja.