Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka sqaruar qëllimin e ndryshimeve të propozuara në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Hamza ka theksuar se iniciativa nuk synon mbylljen e Dhomave të Specializuara, por përcaktimin më të qartë të mandatit dhe juridiksionit të tyre, duke i lidhur ato me pretendimet për të cilat, sipas PDK-së, ishte krijuar ky mekanizëm.
“Specialja nuk mbyllet, por i kthehet mandatit për të cilin është krijuar. Projektligji përcakton që Dhomat e Specializuara të merren me pretendimet konkrete që lidhen me Raportin e Dick Marty-t. Çështjet që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë mandat do të trajtohen nga institucionet kompetente të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Asnjë rast nuk mbyllet – dosjet, provat dhe procedurat transferohen dhe vazhdojnë në Kosovë”, ka thënë Hamza.
Kryetari i PDK-së ka theksuar gjithashtu se projektligji kërkon që juridiksioni i Dhomave të Specializuara të argumentohet konkretisht për çdo të akuzuar dhe për secilën pikë të aktakuzës.
“Nuk duhet të mjaftojë një lidhje e përgjithshme me luftën apo me UÇK-në. Për çdo të akuzuar dhe për çdo pikë të aktakuzës duhet të argumentohet qartë pse ajo çështje i përket mandatit të posaçëm të Dhomave”, ka deklaruar Hamza.
Sipas tij, një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit është rritja e transparencës dhe llogaridhënies përmes monitorimit ndërkombëtar.
“Projektligji parasheh mundësinë që organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të monitorojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, kohëzgjatjen e proceseve, kushtet e paraburgimit dhe standardet e gjykimit të drejtë. Monitorimi nuk ndërhyn në vendimmarrjen gjyqësore, por siguron më shumë transparencë dhe raportim para Kuvendit dhe publikut”, ka përfunduar Hamza.
PDK thekson se do të vazhdojë të ndjekë çdo rrugë demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve të drejtësisë në të gjitha fazat e mëtejshme të procesit.