LAJME

Hamza: Për PDK-në çështja e presidentit është e përmbyllur

Hamza: Për PDK-në çështja e presidentit është e përmbyllur
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Prill 2026, 10:45

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se për partinë që ai e drejton procesi i zgjedhjes së presidentit konsiderohet i mbyllur, pas zhvillimeve të fundit politike.

Ai bëri të ditur se Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur mbledhje, ku është diskutuar gjerësisht për këtë çështje.

“Është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues, si organ vendimmarrës brenda PDK-së. Është diskutuar gjatë për këtë temë dhe është konstatuar se nuk ka pasur seriozitet nga partia fituese dhe nga Kurti që vendit t’i jepet presidenti,” deklaroi Hamza.

Sipas tij, qasja e PDK-së nuk është trajtuar me korrektësi nga pala tjetër.

“Nuk është trajtuar me korrektësi qasja pozitive e PDK-së dhe, si rezultat i kësaj gjendjeje dhe zhvillimeve, Këshilli Drejtues ka votuar një deklaratë politike, ku një paragraf për çështjen e presidentit thotë se për PDK-në ky proces është i përmbyllur,”-  u shpreh ai.

Kryeministri Albin Kurti më 20.04.2026, pas takimit me Lumir Abdixhikun, kreun e LDK-së, tha se bisedimet mes tyre për çështjen e zgjedhjes së presidentit rezultuan të pasuksesshme. Menjëherë pasi përfundoi takimin me kreun e LDK-së, Kurti tha se i ka shkruar një mesazh liderit të PDK-së Bedri Hamza për çeshtjen e presidentit.

“Nën shpjegimin që Vetëvendosja nuk duhet t’i ketë të tri pozitat e larta shtetërore, atëherë ne bëmë një ofertë tjetër për LDK-në. Kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rrokadë, ashtu që ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër për të cilin përcaktohet LDK-ja, zë pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq kryetarja aktuale e Kuvendit dhe ushtruesja e presidentit Albulena Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit… Më shumë se aq nuk kam çka i ofrojë.” – tha Kurti.

Kurse, sipas Abdixhikut, Kurti insistonte gjatë takimit që pozita e presidentit të jetë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me LDK-në Vetëvendosja nuk ka diskutuar as edhe një emër [për president] përveç Glauk Konjufcës… Jemi prap në pozitën e njëjtë si para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. U porpoqa, u porpoqëm të gjejmë zgjidhje.” – tha Abdixhiku para gazetarëve.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon me 28.04.2026.

Nëse deri atëherë nuk zgjedhet presidenti i vendit, brenda 45 ditëve mbahen zgjedhjet e parakoheshme paralmentare./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika