LAJME

Hamza: PDK-ja do të veprojë që ligjshmëria të rikthehet

Hamza: PDK-ja do të veprojë që ligjshmëria të rikthehet
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Shtator 2026, 10:31

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja nuk do të pranojë vazhdimin e shkeljeve kushtetuese dhe se, nga sot, do të hyjë në një fazë tjetër të veprimit politik, institucional dhe juridik për rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend.

Në sallën e Kuvendit, Hamza tha se për javë të tëra deputetët e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.

“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë. Me përgjegjësi. Me vendosmëri. Me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, tha  Hamza.

Kryetari i PDK-së theksoi se situata e krijuar nuk është më një përplasje e zakonshme politike.

“Kjo që ka ndodhur nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë politike. Nuk është konflikt mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk është konflikt mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit. Është konflikt mes një mënyre autoritare të ushtrimit të pushtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai tha se pushteti nuk mund t’i trajtojë “Kushtetutën, vendimet e gjykatave dhe obligimet institucionale sipas interesit politik”.

“Në demokraci, edhe kur nuk të pëlqen Kushtetuta, nuk e shkel atë. Kur nuk të pëlqen një vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk sillesh sikur ai nuk ekziston. Dhe kur Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konstaton se deputeti nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e ministrit, nuk mund të sillesh sikur gjykata nuk ka folur”, tha ai./ koha.net/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika