LAJME

Hamza: Kemi humbur vota në Skenderaj, Drenas, Prizren dhe Ferizaj, nuk i fshehëm përgjegjësisë

Hamza: Kemi humbur vota në Skenderaj, Drenas, Prizren dhe Ferizaj, nuk i fshehëm përgjegjësisë
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Qershor 2026, 14:35

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza ka deklaruar se në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën, më 07.06.2026, PDK ka humbur vota në katër komunat që qeverisë në nivel lokal.

Hamza tha se nuk i ikin përgjegjësisë dhe se do të bëjnë analiza për shkaqet e këtij rezultati.

“Na kemi humb më së shumti votë në katër komunat që i udhëheqim në nivel komunal: në Prizren, Ferizaj, Skenderaj dhe Drenas. Unë nuk i fshehem përgjegjësisë. Ne do të bëjmë analiza për arsyer se pse kemi humbur votat dhe do t’i adresojmë shkaktarët” – tha Hamza në konferencë për media.

Kreu i PDK-së tërthorazi, komentoi edhe rezultatin në Malishevë dhe ndihmën nga Fatmir Limaj.

“Është mirë që është fitore në Malishevë, mirëpo edhe aty nuk është që është ndonjë fitore me numër të madh të votave. Është pak më shumë se sa që kemi pasë vota në zgjedhjet paraprake, në dhjetor” – tha Hamza.

Bedri Hamza, mes te tjerash tha se rezultati i arritur nga partia e tij në zgjedhjet e 7 qershorit është nën pritjet që kishin para procesit zgjedhor.

Në deklarimin e tij pas publikimit të rezultateve preliminare, Hamza i uroi të gjitha partitë politike për rezultatin e arritur, por tha se PDK kishte synuar një rezultat më të mirë.

“Rezultatet janë këto. I uroj të gjitha partitë politike për rezultatin. Për PDK-në rezultati është ky që është. Kemi pritë ma shumë. Kemi mujtë ma shumë. Ne presim të kemi ma shumë deputetë. Deri më tani janë 24. Po të presim fundin me votat e diasporës” – tha Hamza.

Ai vlerësoi se zgjedhjet kanë qenë të lira, por jo të barabarta.

“Zgjedhjet kanë qenë të lira, por nuk kanë qenë të barabarta. Për shkak se pushteti ka shfrytëzuar resurset shtetërore” – deklaroi ai.

Hamza tha se niveli i abstenimit të qytetarëve duhet të shërbejë si mesazh për të gjitha subjektet politike. “Abstenimi i qytetarëve është mesazh për krejt neve. Unë e kam marrë mesazhin” – u shpreh ai.

Duke folur për zhvillimet e brendshme në PDK, Hamza njoftoi se partia do të kalojë nëpër një proces zgjedhor gjatë këtij viti dhe se gara do të jetë e hapur për të gjitha pozitat drejtuese, përfshirë edhe atë të kryetarit.

“Neve si PDK na presin dy procese, zgjedhjet brenda partisë që do të mbahen këtë vit. Edhe pse unë kam mandat 4-vjeçar, gara do të jetë e hapur për krejt nivelet, edhe degë edhe nëndegë. Pra, edhe posti i kryetarit do të jetë i hapur” – tha Hamza.

Ai përmendi edhe procesin gjyqësor në Hagë si një nga çështjet që do të ndikojë në zhvillimet e ardhshme politike në parti.

“Proces tjetër i rëndësishëm për ne është vendimi në Hagë… Nuk do paragjykoj se a do kthehen në politikë ose jo” – deklaroi ai.

Sa i përket krijimit të institucioneve të reja, Hamza tha se nuk beson në vendosjen e vijave të kuqe mes partive politike dhe bëri thirrje për marrëveshje politike para konstituimit të Kuvendit.

“Nuk është mirë me pas vija të kuqe. Nuk kam as tash. Për me pas institucione shpejt dhe të qëndrueshme duhet me pas marrëveshje politike ende pa u konstituar Kuvendi” – tha Hamza.

Sipas rezultateve  preliminare, PDK ka fituar në komunën e Skenderajt, Drenasit dhe të Malishevës. Në Ferizaj prin LVV me 53,81%, ndërsa PDK me 24,99%. Po ashtu në Prizren ka marrë LVV 44,07% dhe 22,12% PDK.

Në këto rezultate të deri tanishme nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika