Bashkë me investimet paraprake që kanë përfunduar në pranverë, kostoja shkon tek afro gjysmë milioni. Bashkë me ato të viteve më parë, i ofrohet milionit. Rifunksionalizimi me çfarëdo destinimi mbetet sfidë. Ashtu siç ndodh thuajse me secilin monument ku shteti investon. Sipas kontratës, do të bëhen ndërrimi i dyerve dhe dritareve ekzistuese, pastrimi i brendshëm, pastrimi i sipërfaqeve të mureve dhe rregullimi i tyre, rregullimi i shkallëve, do të punohet në xhamat e kupolës dhe në të gjitha pjesët e dëmtuara. Përfshirë shtrimin e oborrit.
Se cili do të jetë destinimi nuk ka cak, ka veç propozime. Por caku i radhës për Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren është faza e dytë e restaurimit. Nëpërmjet një kontrate që është në prag të 300 mijë eurove, Ministria e Kulturës synon që monumentit të moçëm t’ia kthejë shkëlqimin.
Bashkë me investimet paraprake që kanë përfunduar në pranverë, kostoja shkon tek afro gjysmë milioni. Bashkë me ato të viteve më parë, i afrohet milionit. Rifunksionalizimi me çfarëdo destinimi mbetet sfidë. Ashtu siç ndodh thuajse me secilin monument ku shteti investon.
Ministria e Kulturës është në hov të konservimeve e restaurimeve, ku dominojnë ndërhyrjet emergjente. Rrjetet sociale të këtij institucioni shpalosin lloj-lloj fotografish, investimesh në restaurime. Por mungon rijetësimi i monumenteve që në kushte normale, restaurimi është vetë investim në funksionalizim.
Kontrata e radhës është “Faza e dytë – Restaurimi i Hamamit të Gazi Mehmed Pashës, Prizren”.
Peshon financiarisht fiks 299 mijë e 620 euro. Punëkryes është kompania “N.N 100% Design Sh.p.k.” nga Skenderaj. Sipas kontratës, do të bëhen ndërrimi i dyerve dhe dritareve ekzistuese, pastrimi i brendshëm, pastrimi i sipërfaqeve të mureve dhe rregullimi i tyre, rregullimi i shkallëve, do të punohet në xhamat e kupolës dhe në të gjitha pjesët e dëmtuara. Përfshirë shtrimin e oborrit.
Në mars të këtij viti, Ministria e Kulturës kishte inauguruar punimet e fazës së parë në këtë monument që gjendet brenda Zonës Historike të Prizrenit. Pastrimi i nëndyshemesë apo hypokaustit, gërryerja e suvasë së dëmtuar, mbushja e fugave dhe plasaritjeve, zëvendësimi i pllakave, tullave dhe gurëve të dëmtuar, kapnin shumën prej 180 mijë eurosh.
Kur u ndërtua në vitet 1564-1574, Hamami, që mban emrin e sanxhakbeut të Shkodrës, që dha urdhër për ngritjen e tij, ishte në një pikë qendrore të qytetit. Zemra e qytetit aty është edhe sot, sikurse edhe rëndësia e monumentit për trashëgiminë kulturore. Ishte mbyllur disa herë si rrjedhojë e ndërhyrjeve e kishte funksione të ndryshme. Në njërën pjesë, punimet e nisura në shkurt të vitit të kaluar, janë finalizuar në pranverën e këtij viti.
Pos punimeve restauruese është punuar edhe në aspektin e sigurisë. Është instaluar sistemi i kamerave e alarmit, si dhe instalimet e rrymës dhe ujit.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se këto ndërhyrje i kontribuojnë zhvillimit të turizmit, e rrjedhimisht edhe ekonomisë lokale.
“Motoja jonë për ndërhyrje në trashëgimi kulturore nga fillimi ka qenë ‘Mbrojtje, restaurim dhe funksionalizim’, sepse duke i funksionalizuar monumentet, i kthejmë në shërbim të komunitetit”, kishte thënë ministri Çeku para të pranishmëve.
Por se funksionalizimi mbetet çështje më vete kishte bërë të ditur po atë ditë drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha.
“Investime në të kaluarën ka pasur në vitin rreth 2010 dhe 2012 rreth 300 mijë dollarë me sa e di. Më pas në vlera më të vogla 60-70 mijë euro ka pasur disa intervenime emergjente, disa dëme që ishin shkaktuar, i kemi pasë riparuar. Këto të fundit janë investimet më të mëdha”, kishte Hoxha.
Kishte bërë të ditur se ende nuk ka një vendim për destinimin e Hamamit, por se ka ide të ndryshme rreth kësaj, përfshirë edhe ajo për ta rikthyer në funksionin që kishte më parë.
“Ne pasi ta përmbyllim projektin, do të punojmë në hartimin e një plani të menaxhimit në bashkëpunim edhe me akterë të tjerë dhe të shohim. Janë disa ide të cilat ne po i diskutojmë, por nuk janë përfundimtare: shndërrimi i njërës prej hapësirës në hapësirë muzeale, një ide tjetër është të rikthehet funksioni i Hamamit siç ka qenë më parë në një pjesë, një tjetër variant është të mbetet i hapur për aktivitete të ndryshme”, kishte thënë Hoxha për KOHËN. Se ende nuk ka një vendim për destinimin final, Hoxha e ka konfirmuar edhe të dielën.
Hamami i Gazi Mehmed Pashës është ndërtuar gjatë viteve 1573-1574 nga Gazi Mehmed Pasha (sanxhakbeu i Shkodrës), si pjesë e ansamblit arkitektonik që përfshinte gjithashtu Xhaminë Bajrakli, një shkollë të mesme (medrese), një shkollë fillore (mejtepe), një bibliotekë dhe një tyrbe.
Hamami karakterizohet nga një strukturë prej njëzet kupolash: dy kupola më të mëdha janë të mbuluara me tjegulla, ndërsa kupolat e tjera më të vogla dhe qemerët janë të mbuluara me plumb.
Sipas shënimeve, është e ndërtuar nga gurë dhe tulla të ndryshme dhe paraqet një shembull të hamamit dysh, për përdorim për të dy gjinitë.
Deri në vitin 1964, Hamami ishte i rrethuar nga objekte tregtare, të cilat më pas u rrënuan, kur filluan ndërhyrjet konservuese në ndërtesë. Në vitet 1970, filluan iniciativat e fragmentuara për restaurim, që nuk u përfunduan dhe objekti përfundimisht u braktis. Që nga viti 2000, pjesa e ftohtë e Hamamit u përdor si hapësirë për aktivitete të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative./KOHA/