Ish-krerët e OVL-së së UÇK-së i kanë kërkuar panelit të Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë që të zbardhin rastin e rrjedhjes së dokumenteve dy vjet më parë dhe që të gjykohen drejtë.
Hysni Gucati ka thënë se me burgosjen e tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka shkelur të drejtat dhe liritë e tij.
“Mua si luftëtar i lirisë, si invalid i luftës çlirimtare, fati krejt rastësisht më ka mbajtur në jetë. Thuhet se rasti është mbret i botës. Me burgosjen time Prokuroria e Dhomave të Specializuar ka shkelur të gjitha të drejtat dhe liritë e mija njerëzore. Popullit tim me dekada i është imponuar lufta për liri dhe çlirim. Jemi të bindur se asnjëherë nuk dënohet lufta për liri dhe jetë. Ne kemi qenë të shtrënguar të luftojmë kundër një shteti që me program është angazhuar për shuarjen e popullit tim. Kemi luftuar kundër një shteti që edhe më parë, edhe me luftën e fundit, ka kryer krime dhe gjenocid. Këto krime janë parë nga bota që ka intervenuar me bombardimet e NATO-s”.
Ai ka thënë se drejtuesit e organizatës nuk kanë faj për rrjedhjen e dokumenteve, duke kërkuar lirimin nga të gjitha akuzat.
“Si drejtues të OVL-së nuk kemi bë asnjë faj dhe nuk e kemi shkelur ligjin, janë të tjerët që na kanë sjellë dokumentet në zyre. Lidhur me ata njerëz askush nuk e ka bë asnjë hetim. Ne nuk kemi asnjë faj për këto rrjedhje. Kërkoj nga ky trup që të na lirojë nga të gjitha akuzat”.
Ndërsa, Nasim Haradinaj ka thënë se përgjatë gjithë procesit të gjykimit ka pasur tendenca nga ZPS-ja që t’i bëjë bisht të vërtetës “duke u munduar t’i fshehë gabimet e veta”.
Ai ka kërkuar zbardhjen e gjithë rastit dhe drejtësi nga Apeli, “pa paragjykime, pa anime dhe nuanca politike”.
“Trupi gjykuesi haptazi ishte palë me prokurorinë. Vërehej qëllimi apriori që të dënohemi ne sepse ishte thënë pas arrestimit tonë, se jemi fajtorë. Jam i bindur se ky proces është kryer sipas porosisë duke pasur forcën e njëanshmërisë dhe të drejtën e mosdhënies llogari askujt. Në jetën time kësi gjykime të porositura i kam përjetuar në vitet 80-ta në ish-Jugosllavi komuniste. Kjo prokurori po mendon që në emër të drejtësisë t’i qërojë hesapet me një etni të caktuar, të përzgjedhur qëllimshëm, sipas kandarit të Serbisë dhe duke relativizuar krimet barbare të një regjimi gjenocidal që nisi dhe bëri katër lufta në territorin e ish-Jugosllavisë”.