Ndërmjetësuesi special për Kosovën dhe Serbinë nga Administrata Trump, Richard Grenell, ka thënë se ka siguruar mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve në Detroit.
Grenell e ka bërë të ditur nëpërmjet një cicërime në Twitter se përfaqësues të bizneseve dhe liderëve religjioz ia kanë bërë të qartë se do e votojnë kandidatin republikan, Donald Trump.
“Në Detroit, duke biseduar me përfaqësues të bizneseve dhe krerë fetar shqiptar. Ata ma bënë të qartë se shqiptaro-amerikanët do e votojnë @realdonaldtrump”, ka thënë Grenell.
Zgjedhjet në SHBA do mbahen më 3 nëntor. Përveç Donald Trump, do kandidojë edhe Joe Biden, i cili momentalisht po prin në sondazhet e realizuara nga mediumet amerikane.
Një ditë më parë nëpërmjet një video-mesazhi Grenell u bëri thirrje shqiptarëve në Amerikë që të votojnë për Trumpin, pasi që sipas tij ai ka bërë shumë për shqiptarët.