Të suksesshëm po e quajnë Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor, i cili për shkaqe të pandemisë ka filluar me vonesë dhe përfundoi më herët se sa që ishte planifikuar.
Për shkaqe të pandemisë ky vit shkollor është organizuar në bazë të tre skenarëve, ku skenari A ka paraparë mësimin në shkolla, skenari B mësim i kombinuar në shkollë dhe online, ndërsa skenari C ka paraparë mësimin online.Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, thotë se shumica e shkollave kanë realizuar programin mësimor sipas kalendarit që është paraparë.
Në ato shkolla ku nuk është arritur realizimi i të gjitha orëve mësimore, Likaj thotë se do të zëvendësohen gjatë gjysmëvjetorit të dytë.“Ne e vlerësojmë që shumica e shkollave fatmirësisht e kanë realizuar programin mësimor sipas kalendarit që është paraparë me përjashtim të këtyre katër ditëve të cilat më vonë do të shohim mundësinë në bashkëpunim me DKA-të dhe kuptohet me ekspertët e ministrisë dhe të jashtëm se si do ta kompensojnë.
Shumica e shkollave thash edhe një herë kanë punuar në skenarin A dhe kanë realizuar plotësisht planin mësimor i cili ka qenë i paraparë, një numër i caktuar shkollash ka lëvizur prej skenarit A në skenarin C ose diku diku kemi pasur raste kur ka lëvizur edhe vetëm një klasë ose dy të vetme, megjithatë, rezultatet janë inkurajuese. Unë i kam vizituar gjithsej 119 shkolla në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës dhe kam pa komuna të tëra të cilat gjithmonë e kanë mbajtur në skenari A…Ne mund të mos jemi të kënaqur ndoshta me të arriturat dhe me rezultatet sa i përket cilësisë së mësimit, po megjithatë për rrethanat në të cilat jemi besojmë që është arritur ai nivel i kërkuar dhe ajo çka është pritur”, thotë ai.Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, thotë se përkundër vështirësive me të cilat janë përballur mësimdhënësit ata kanë dhënë maksimumin në mësimnxënie dhe mësimdhënie.
Ai thotë se janë të lumtur që përkundër rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në mesin e mësimdhënësve dhe nxënësve shkollat nuk janë mbyllur tërësisht, derisa thekson se vazhdojnë ta mbështesin mbajtjen e mësimit në objektet shkollore.“Ditët e humbura dhe njësitë mësimore që kanë mbetur pa u kryer në gjysmëvjetorin e parë do të barten në gjysmëvjetorin e dytë dhe kolegët e mi janë të përgatitur dhe janë të përkushtuar që të japin kontributin aq sa lejojnë kushtet. Më gëzon fakti pra që ndërprerje të plotë të mësimit nuk ka pasur në Kosovë,a ty ku ka pasur prekje më të mëdha është kaluar në mësimin online dhe prapë ato klasë apo ato shkolla janë kthyer në mësimin në institucione arsimore…Vlerësimi është i përditshëm, dy ato komponentët e vlerësimit që i kanë dhe unë besoj që shumica e mësimdhënësve të Kosovës këtë detyrë e kanë kryer gradualisht dhe gjatë zhvillimit të procesit mësimor. Jam i sigurt se edhe këtë detyrë që është njëra nga detyrat më të vështira të vlerësimit të dijes e kanë bërë dhe unë po them këtë gjysmëvjetor po e përfundojmë kështu”, thotë ai.E mbajtjen e mësimit në kohë pandemie e quan të pazakontë drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, i cili thotë se reduktimi i procesit mësimor përmes tre skenarëve ka paraqitur një mbingarkesë për mësimdhënësit në aspektin profesional, po edhe një ngarkesë emocionale për vet nxënësit.“Ky gjysmëvjetor ka qenë i pazakontë, reduktimi i procesit mësimor përmes tre skenarëve pak ka paraqitur një mbingarkesë për mësimdhënësit në aspektin profesional, po edhe një ngarkesë emocionale edhe për vet nxënësit. Si të tillë edhe vet rezultati nuk mund të pritej më i mirë sesa ajo çka e kemi tani…Unë vlerësoj shumë që lëvizja e shpeshtë mes skenarëve ka ndikuar drejtpërdrejtë në vëmendjen dhe përqendrimin e nxënësve karshi arritjeve të rezultatit të të nxënit dhe në pamundësinë profesionale për mësimdhënësin që me përdorë metodikë konsistente karshi komunikimit të dijes tek nxënësit. Në një situatë si kjo pastaj është e pashmangshme që e njëjta të bartet edhe në vlerësim tek nxënësit, pasi që një rezultat jo i arritur i të nxënit për nxënësit atje na është konvertuar edhe në një dije jo mirë të transmetuar dhe me një vlerësim jo real”, thotë ai.Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka bërë të ditur se që nga fillimi i këtij vitit shkollor për COVID-19 janë testuar 10 mijë e 823 mësimdhënës prej të cilëve pozitiv kanë rezultuar 1 mijë e 615. Ndërsa, tha se janë testuar 6 mijë e 792 nxënës dhe pozitiv kanë rezultuar 1 mijë e 173.“Deri tani kur sot po përfundon procesi mësimor nga 15 shtator e deri më sot janë testuar 10 mijë e 823 mësimdhënës prej tyre 1 mijë e 615 gjatë kësaj kohe kanë rezultuar pozitiv me përqindje 14.9 për qind dhe 6 mijë 792 nxënës prej tyre 1 mijë 173 kanë rezultuar pozitiv me shkallë 17.3 për qind, mesatarja totale 15.8 për qind”, thotë ai.Në bazë të kalendarit shkollor mësimi në Kosovë do të ishte dashur të përfundojë me 24 dhjetor 2020 dhe të fillojë me 8 janar 2021, por për shkaqe të mos përhapjes së COVID-19 gjysmëvjetori i parë ka përfunduar dje dhe do të do të nis me 18 janar./KP/