Për disa vjet është lënë krejt në harresë, shteti e mbron si monument por pamja e tij është e trishtë, kaherë është konstatuar se ndërhyrja duhet të jetë emergjente e tek tash është hartuar projekti për ndërhyrjet restauruese-konservuese të ish-Internatit apo të Kazermës së vjetër në Prizren. Buxheti prej 300 mijë eurosh del të jetë i pamjaftueshëm, vlera e projektit kap shumën prej 500 mijë eurosh e ky aset ka kohë që është futur në listën e monumenteve në rrezik.
Ndërtesa e Kazermës së vjetër përkatësisht ish-Internati në Prizren me vite të tëra është lënë pas dore e si rrjedhojë ka sjellë edhe degradimin e skajshëm të këtij monumenti. Mungesa e përkujdesjes së duhur bashkë me shfrytëzimin e paautorizuar të hapësirave të brendshme kanë bërë që objekti të dëmtohet në masë të madhe dhe nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të kategorizohet si strukturë në rrezik. Marrë parasysh gjendjen aktuale të ndërtesës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka përpiluar projektin për ndërhyrjet restauruese-konservuese në këtë aset.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se do të ndërmarrë hapa për jetësimin e këtij projekti.
“Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka përfunduar projektin e restaurimit të ndërtesës së Kazermës së vjetër ‘ish-Internati’ dhe në vijim do të iniciojmë procedurën për zbatim të tij”, ka bërë të ditur në rrjetet sociale ky dikaster qeveritar.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka shpjeguar se si ky organ në zbatim të programit të punës i ka kushtuar rëndësi edhe hartimit të projekteve duke pasur parasysh që buxheti i alokuar për vitin 2023 ka paraparë restaurimin e një numri të konsiderueshëm të aseteve të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit dhe përreth saj, përfshirë këtu edhe Kazermën e vjetër që njihet edhe si ish-Internati.
“Ndërtesa me tipologji të veçantë e ndërtuar në shekullin XIX, fatkeqësisht ka qenë e lënë pas dore dhe pa përkujdesje, si rezultat i shumë faktorëve. Në ndërtesë kanë qenë të vendosura disa familje që konsiderohen prej autoriteteve lokale si uzurpatore dhe marrë për shkas këtë dhe rëndësinë që ka ndërtesa në fjalë, punonjësit e QRTK-së gjegjësisht arkitektët tanë kanë hartuar projektin, me të cilin parashihet trajtimi i ndërtesës në të gjitha fazat. I njëjti është proceduar për marrje të lejes prej Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, për këtë projekt janë planifikuar 300 mijë euro në buxhetin e Ministrisë së Kulturës për vitin 2023, në fushën e trashëgimisë kulturore.
“Tashmë kemi bërë kërkesën për inicimin e procedurës së prokurimit dhe presim që ditëve në vijim të hapet procedura e prokurimit e të lidhet kontrata dhe me përmirësimin e kushteve atmosferike në fillim të vitit të ardhshëm shpresojmë të fillojë procesi i restaurimit të këtij monumenti”, ka deklaruar Hoxha. Ai ka shtuar se marrë për bazë shkallën e dëmtimeve, vlerësimi i arkitektëve ka qenë se vlera e projektit mund të kapë shifrën prej 500 mijë eurove.
“Nga informatat që kemi nga MKRS-ja, presim që me lëvizjet e brendshme buxhetore kjo vlerë të sigurohet”, është shprehur Hoxha.
Drejtuesi i QRTK-së në Prizren ka pranuar se në këtë ndërtesë nuk ka pasur ndërhyrje prej shumë vjetësh dhe se është e rrezikuar, pasi që as statika e saj nuk është e qëndrueshme.
“Si QRTK kemi një listë të ndërtesave, të cilat janë të kategorizuara si ndërtesa në rrezik. Edhe kjo ndërtesë bën pjesë në këtë grup, si ndërtesë në rrezik. Gjendja statike e saj nuk është e qëndrueshme, ku shfrytëzuesit e paautorizuar të vendosur prej pasluftës e deri më tani kanë shkaktuar dëme të shumta në ndërtesë. Andaj konstatimi ka qenë që duhet të trajtohet me emergjencë”, ka thënë Hoxha.
Zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë pohuar se do ta trajtojnë çështjen e shfrytëzimit të paautorizuar të hapësirave të këtij monumenti dhe zhvendosjes eventuale të tyre, në bashkëpunim me institucionet e tjera. “Ndërtesa në fjalë nga Komuna e Prizrenit i është dhënë në shfrytëzim MKRS-së. Gjatë diskutimeve është kuptuar se aty ka ende familje të strehuara. Besojmë se me një memorandum të bashkëpunimit me MKRS-së do të trajtohet kjo çështje dhe do të bëhet një zgjidhje. Por, edhe nëse nuk ka një gatishmëri të tillë nga niveli qendror atëherë ne do ta bëjmë zgjidhjen, sepse janë banorë të Komunës së Prizrenit”, ka thënë drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Edmond Hoxha.
Kazerma e vjetër, sipas shënimeve të QRTK-së, gjendet në pjesën jugore të qytetit, jashtë Qendrës Historike të Prizrenit. Është ndërtuar në kuadër të Sarajit të Mahmud Pashës në pjesën e parë të shekullit XIX. Në kohën e ndërtimit kjo pjesë kishte rëndësi strategjike që vëzhgonte gjithë qytetin dhe njëherësh kishte klimë dhe ajër të pastër, që ishte njëra nga arsyet e ndërtimit të sarajit. Pas një kohe, në anën lindore ndërtohet edhe objekti i postë-telegrafit, si dhe ndërtesa e Konsullatës austriake. Me largimin e Perandorisë Osmane në vitin 1912, ushtria e atëhershme serbe e merr në shfrytëzim kazermën, ndërsa në vitin 1926 bën renovimin dhe përshtatjen e kazermës për nevojat e veta, derisa Xhamia e Mahmud Pashës, që ishte në afërsi, rrënohet pjesërisht dhe adaptohet në banjë publike për xhandarmërinë serbe. Pas Luftës së Dytë Botërore kazermën e merr Ushtria jugosllave, e cila e shfrytëzon deri në vitin 1962. Më pas ndërtesën e merr qeveria lokale, e cila e shfrytëzon si internat – konvikt për nxënësit dhe studentët deri në fund të viteve ‘80 të shekullit XX, kur ndërtohet konvikti i ri pranë shkollës së lartë. Me largimin e studentëve nga kjo ndërtesë aty vendosen familje të ndryshme të internuar dhe të pastrehë. Edhe pas luftës së fundit ndërtesa banohet nga familje të ndryshme skamnore. Ndërkohë në anën lindore ku gjendet edhe fasada kryesore janë bërë disa aneks-ndërtime pa leje.
Kazerma e vjetër është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore në mbrojtje të përkohshme me numrin rendor 863. Ndërtesa kufizohet me kompleksin e Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës, e cila është vlerësuar si përmendore kulturore që nga viti 1970.
Sipas zyrtarëve të QRTK-së, ndërtesa ka vlerë historike pasi ishte pjesë e Sarajit të pashës, familja e të cilit drejtoi Prizrenin për mbi një shekull. Edhe pse ndërtesa e Kazermës nuk ka të ruajtura shumë elemente nga gjendja burimore, megjithatë në fasadë janë disa elemente dekorative që dëshmojnë për frymën neoklasike dhe secesionit që kishte depërtuar në arkitekturën e ndërtesave publike në pjesën e parë të shekullit XX.
Vlerësimet e punonjësve profesionistë të këtij organi janë se meqë në këtë ndërtesë nuk ka pasur intervenime për një kohë të gjatë si rrjedhojë janë shfaqur probleme që mund ta rrezikojnë objektin në tërësi. Deformimet dhe dëmtimet janë shfaqur si në mure, në kulmin e objektit, po ashtu edhe në enterier e eksterier.
Eroll Shabani nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka theksuar se kujdesi institucional ndaj aseteve të trashëgimisë kulturore duhet të jetë konstant në mënyrë që të ruhen vlerat e tyre, por edhe të vihen në shërbim të publikut e vizitorëve.
“Edhe pse veprimet e institucioneve në raport me ndërtesën e Kazermës së vjetër janë të vonuara, megjithatë ato janë të mirëseardhura pasi parashihen restaurimi dhe konservimi i tërësishëm i këtij monumenti. Thirrja jonë është që kjo ndërtesë pas ndërhyrjeve më se të nevojshme mos të lihet në harresë, por të funksionalizohet dhe të vihet në shërbim të komunitetit, për të pasuruar mozaikun e aseteve të trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër”, ka thënë Shabani.
Drejtori i QRTK-së, Samir Hoxha, ka theksuar se përcaktimi i destinimit të objektit është përgjegjësi e MKRS-së.
“Pas ndërhyrjeve të restaurimit dhe konservimit synojmë që këtë ndërtesë ta vëmë në dispozicion të zhvillimit të jetës kulturore dhe fuqizimit të trashëgimisë kulturore, edhe pse vendimmarrja finale lidhur me këtë çështje i takon MKRS-së”, ka thënë Hoxha.
Në ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023, projekti i ish-Kazermës në Prizren figuron me emërtimin Qendra Kombëtare për Trashëgimi Kulturore, me shumën e planifikuar prej 300 mijë eurove.
Gjashtë vjet më parë, kur Qeveria e atëhershme inicioi bartjen e MKRS-së në Prizren, ndërtesa e Kazermës së vjetër apo ish-Internati planifikohej të vihej në shërbim të Departamentit të Kulturës dhe atij të Trashëgimisë Kulturore. Por kjo ide nuk pati gjetur zbatim në praktikë, ndërkohë që MKRS-ja praninë simbolike në Prizren e ka shtrirë në objektin e ish-Rektoratit të Universitetit të Prizrenit në qendër të qytetit.