Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji ndaj dy të pandehurve me inicialet Xh.B. dhe B.R., të dyshuar për veprën penale “Përvetësimi në detyrë në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, ndërsa masa do të jetë në fuqi deri më 3 shtator 2026.
Gjykata thekson se të pandehurit “ nuk guxojnë të largohen nga vendbanimi pa lejen e Gjykatës dhe u ndalohet kontakti me persona që nuk jetojnë me ta ose nuk janë në varësi të tyre. Po ashtu, është bërë e ditur se nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, ndaj tyre do të caktohet masa e paraburgimit.
Lidhur me dyshimet, Gjykata ka vlerësuar se, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se gjatë periudhës nga gushti deri në nëntor 2024 dhe nga shkurti deri në dhjetor 2025, të dyshuarit, sa ishin në marrëdhënie pune në ndërrimin e natës në QKMF-Prizren, kanë përvetësuar para të arkëtuara nga pagesat e pacientëve për shërbimet shëndetësore.
Sipas komunikatës së Gjykatës, hetimet paraprake dyshojnë se Xh.B. ka përvetësuar rreth 1,250 euro, ndërsa B.R. rreth 1,032 euro, me një shumë të përgjithshme prej 2,282 eurosh.