Biberoni, fletoret dhe gëzhojat e plumbave
Ngjyra e paprekur e kahershme e mureve përzihet me heshtjen që mbizotëron brenda. Çdo fotografi, çdo objekt, çdo gjurmë e ruajtur mban një rrëfim të vetin. Ato janë të mbuluara me xhama falë një donacioni nga Fondacioni “Golden Eagle”, njëjtë sikurse edhe dyshemeja në mes që i ngjan një vitrine vertikale, e ku me sy dallohet edhe një biberon fëmije. I heshtur, i zakonshëm në pamje, por i rëndë sa vetë historia që mbartë. Është një dëshmi e dhimbshme se në atë masakër nuk u kursyen as fëmijët.
Mbi këtë vitrinë, pak më tutje janë të ekspozuara kopjet e fletoreve shkollore, vizatimet dhe krijimet e fëmijëve të familjes Berisha. Në këto ekspozime ka edhe kopje të fletave me shkronja të pafajshme, nga detyra që ka marrë notën shkëlqyeshëm. Afër tyre ka fotografi të rrobave të viktimave, të gjetura pas zhvarrosjeve nga varrezat masive në Kosovë dhe Serbi, si tregues për ndërprerjen e parakohshme të ëndrrave dhe më shumë si dëshmi të një përpjekjeje sistematike për të fshehur krimin.

Në anën e majtë të hyrjes figurojnë emrat e viktimave të vrarë, derisa në anën e djathtë janë të shkruar emrat e tre të mbijetuarve: Shyhrete Berisha, Vjollca Berisha dhe Gramoz Berisha. “Engjuj që u kthyen nga vdekja për të rrëfyer trishtimin”, shkruan aty.
“Krimi ndaj tyre ishte pesëfish”
Për këtë muze kujdeset çdo ditë Hysni Berisha, 72 vjeçar. Ai i pret vizitorët me mirësjellje, me një qetësi që fsheh lodhjen e viteve dhe barrën e kujtesës. Ecën ngadalë nëpër lokal, ndalet pranë fotografive, prek herë pas here ndonjë objekt dhe nis të rrëfejë, jo vetëm për atë që ndodhi me familjen Berisha, por edhe për përpjekjen e gjatë për të gjetur të zhdukurit dhe për të ruajtur të vërtetën.
“Të gjitha krimet që janë bërë në Kosovë gjatë viteve ’98-’99 janë krime të rënda, krime të cilat kanë zhdukur familje të tëra. Edhe këtu në familjen Berisha nuk është vetëm krim, po është bërë gjenocid ndaj familjes. Me konventat ndërkombëtare gjenocid quhet, krim i shumëfishtë ndaj një grupi etnik që ka ekzistuar edhe është kryer krimi i shumëfishtë. E them i shumëfishtë sepse janë ekzekutuar në lokal, janë ngarkuar në kamion, janë groposur në poligonin e qitjes së ushtrisë jugosllave në Lubizhdë, janë nxjerrë me eskavator, janë dëmtuar trupat, janë ngarkuar në kamionin frigorifer, janë dërguar në Danub, prej Danubit janë nxjerrë edhe janë dërguar në Batajnicë. Domethënë, krimi ndaj atyre trupave është pesëfish. Edhe për atë është krim gjenocidi”, thotë Berisha.

Në atë hapësirë të vogël, rrëfimi i tij nuk tingëllon si histori e largët. Gjurmët janë ende aty, si rrobat e batanijet, që sikur dëshmojnë në heshtje.
Dhe muzeu i kujtesës nuk u krijua rastësisht. Familjarët vendosën që vendi i masakrës të mos rindërtohej e të harrohej, por të mbetej dëshmi për brezat që do të vijnë.
“Kemi menduar me i tregu këto krime që na kanë ndodhur në familje, dhimbja që na ka ndodhur, edhe për me lënë një trashëgimi për brezat që do të vijnë. Kemi vendosur ta bëjmë një muze edhe pikërisht në lokalin ku është kryer masakra ndaj familjes Berisha, ku ka qenë një piceri e familjes Shala. Me mirëkuptim me pronarin e atij lokali, ai na ka ofruar atë lokal që ta shndërrojmë në muze”, thekson Hysni Berisha.
Ai nuk preferon që të flasë për vështirësitë, por përqendrohet te suksesi i krijimit të hapësirës memoriale.
“Për mua ka qenë një sukses shumë i madh që ne kemi arritur me e bindë pronarin e lokalit që me e lënë atë objekt muze për ta trashëguar, me i pa të gjitha krimet e luftës edhe gjeneratat që do të vijnë. Sot krenohem me këtë punë, me këtë lokal që kemi lënë për muze”.
“Nuk ka dinjitet pa një varr”
Por, krenaria nuk e zbeh dhimbjen. Pas më shumë se dy dekadash, familja Berisha ende jeton me mungesën e mbi 20 personave të zhdukur.
“Edhe sot i kemi edhe 24 të zhdukur të familjes Berisha. Nuk ka dinjitet familja derisa nuk e ka një asht me ditë ku me qit një lule nesër, me ditë ku e ka varrin. Ne i kemi përgatitur varrezat, janë të gjitha ato. Mirëpo edhe 24 janë që nuk janë trupat e tyre”, deklaron ai.
Megjithatë, shpresa mbetet pjesë e përditshmërisë së familjarëve.
“Shpresa nuk vdes asnjëherë. Edhe kur e kam formuar shoqatën për hulumtimin e krimeve të luftës, e kam pagëzuar “Shpresimi” duke u mbështetur në atë që gjithmonë kemi shpresuar që do të vijmë deri te rezultatet. Edhe akoma ne shpresojmë, presim që do të vijnë të paktën me pasur një dinjitet të të gjithë atyre që janë vrarë, të ketë një varr, të ketë ku me çu një lule, të ketë familja ku me u çmall me ta”.

Vizitorët që hyjnë në muze shpesh largohen me emocione të shumta. Kjo vërtetohet edhe nga libri i përshtypjeve, i nënshkruar nga shumë personalitete ndërkombëtare dhe vendore.
Sipas Berishës shumica e vizitorëve të këtij muzeu nuk mund t’i ndalin lotët e tyre.
“Muzeu ka karakter shumë dimensional. Më shumë ka vizitorë që vijnë nga bota e jashtme, anëtarë të misioneve të ndryshme këtu në Kosovë, pastaj vjen diaspora jonë, vijnë mysafirë edhe në përvjetorë. Ne vazhdimisht e ndiejmë një lehtësim shpirtëror të paktën për atë kohë kur vijnë me na vizitua që e ndajnë dhimbjen me ne. Ato pesë minuta e ndajnë dhimbjen edhe ne jemi më të qetë, më të lirë se dikush po na dëgjon”, shprehet Hysni Berisha.
Muzetë si dëshmi kundër mohimit
Për njohësit e drejtësisë tranzicionale, vende të tilla kanë rëndësi të jashtëzakonshme në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në ballafaqimin me të kaluarën.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se muzetë e kujtesës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në procesin e drejtësisë tranzicionale, pasi ato shërbejnë si hapësira ku dokumentohen, ruhen dhe komunikohen përvojat e viktimave dhe pasojat e dhunës së ndodhur gjatë luftës, konfliktit apo regjimit diktatorial.
“Drejtësia tranzicionale nuk ka të bëjë vetëm me proceset gjyqësore, por edhe me të drejtën për të vërtetën, kujtesën dhe njohjen publike të vuajtjeve. Në këtë kuptim, muzetë e kujtesës ndihmojnë shoqërinë të ballafaqohet me të kaluarën, të kundërshtojë mohimin e krimeve dhe të krijojë një kulturë të respektimit të të drejtave të njeriut. Ato janë gjithashtu mjete edukimi për gjeneratat e reja, në mënyrë që krimet e së kaluarës të mos harrohen dhe të mos përsëriten. Në të njëjtën kohë, memorializimi krijon hapësira për diskutim dhe reflektim, e që në periudhe afatgjate mund të sjell deri tek ndërtimi i paqes së qëndrueshme dhe pajtimi”.

Sipas tij, dokumentimi dhe ekspozimi publik i krimeve të luftës është thelbësor për një shoqëri post-konflikt.
“Pa dokumentim të besueshëm dhe pa pranimin publik të së kaluarës, ekziston rreziku i relativizimit apo mohimit të krimeve. Dokumentet, fotografitë, dëshmitë dhe artefaktet e ruajtura në muze apo memoriale krijojnë një arkiv kolektiv të kujtesës, i cili i jep zë viktimave dhe kontribuon në ndërtimin e së vërtetës historike. Për më tepër, ekspozimi publik i këtyre krimeve ndikon në ndërgjegjësimin shoqëror dhe në krijimin e empatisë ndaj viktimave”, thotë Blakaj.
Hapësira si Muzeu i Martirëve të Familjes Berisha, sipas tij, kontribuon drejtpërdrejt në ruajtjen e kujtesës kolektive.
“Në rend të parë, pak hapësira ku kanë ndodhur krimet janë ruajtur në atë gjendje siç kanë qenë në kohën e kryerjes së masakrës. Njëra ndër to është hapësira e ish restorantit – picerisë “Kalabria”, ku janë ekzekutuar anëtarët e familjes Berisha. Për shkak se hapësira ka mbetur autentike ky muze e bën kujtesën më të prekshme dhe më personale. Gjithashtu, kjo hapësirë shërben si vend reflektimi dhe respekti për viktimat, por edhe si forma rezistence kundër harresës”.
Në të njëjtën kohë përkujton se rrëfimet e viktimave dhe familjarëve duhet të trajtohen me shumë ndjeshmëri, dinjitet dhe përgjegjësi në proceset memorializuese dhe se viktimat dhe familjarët nuk duhet të shihen vetëm si burime informacioni, por si pjesëmarrës aktivë në ndërtimin e kujtesës publike.
“Është shumë e rëndësishme që rrëfimet e tyre të prezantohen në mënyrë autentike dhe pa instrumentalizim politik. Në rastin e familjes Berisha dhe rasteve tjera ku ende ka persona të zhdukur, procesi memorializues mbetet i papërfunduar. Mungesa e informacionit për fatin e të zhdukurve e mban të hapur plagën e familjeve dhe e bën kujtesën jo vetëm një akt përkujtimi, por edhe një kërkesë të vazhdueshme për të vërtetën dhe drejtësi”.
Drejtësia tranzicionale mes dokumenteve dhe realitetit
Në Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2024–2034, duke u bazuar në të dhënat organizatës Fondi për të Drejtën Humanitare thuhet se gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë persona, ndërsa 1,597 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur me forcë, përfshirë 109 fëmijë.
Dokumenti përmend masakrat, dëbimet, torturat dhe shkatërrimin sistematik të jetës civile gjatë luftës, sikurse edhe përpjekjet ndërkombëtare dhe vendore për ballafaqimin me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale.
“Iniciativat e mëparshme që synonin kërkimin e së vërtetës nuk i kanë përmbushur mandatet e
tyre”, thuhet aty, teksa pohohet se “transformimi shoqëror nga një kontekst i dhunës sistematike në një bashkëjetesë paqësore është i vështirë për t’u arritur nëse viktimave u mungon kujdesi adekuat dhe nëse nuk zbatohen parimet e drejtësisë tranzicionale”.
“Në Kosovë, janë ndërmarrë edhe iniciativa të ndryshme për ta adresuar të kaluarën nga organizatat e shoqërisë civile vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Pavarësisht rëndësisë së këtyre nismave, ato nuk mund ta zëvendësojnë nevojën për adresimin dhe promovimin e drejtësisë tranzicionale nga institucionet publike të Kosovës”, shkruan në Strategji.

Sipas Blakajt, qasja e Kosovës ndaj drejtësisë tranzicionale ka pasur përparime, por ende mbetet e fragmentuar dhe e paplotë. Ai shton se janë bërë hapa në dokumentimin e krimeve, së pari duke krijuar Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL), hartimin e Strategjisë nacionale për Drejtësi Tranzicionale dhe nisma tjera.
“Megjithatë, nuk kemi parë ende ndonjë nismë serioze nga ana e institucioneve të shtetit për fuqizimin e memorializimt dhe krijimin dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive. Mbi të gjitha, asnjëherë nuk ka pasur një qasje të duhur për përfshirjen dhe vendosjen e viktimave në qendër të proceseve të Drejtësisë Tranzicionale. Si pasojë e kësaj situate shumë viktima dhe familjarë vazhdojnë të ndihen të paintegruar në këto procese, sidomos për shkak të mungesës së drejtësisë së plotë dhe fatit ende të pazbardhur të personave të zhdukur. Megjithatë, shoqatat e familjeve të viktimave, individë nga këto familje dhe organizatat e shoqërisë civile janë ata që për 27 vite kanë bartur barrën e proceseve të drejtësisë tranzicionale dhe ruajtjes së kujtesës mbi të kaluarën e dhunshme”, thotë aktivisti i shoqërisë civile.
Pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme
Ai vlerëson se për të forcuar kulturën e kujtesës në Kosovë, nevojitet më shumë përkushtim institucional, mbështetje për muze dhe memoriale, integrim të edukimit mbi të kaluarën në sistemin arsimor dhe mbështetje për dokumentimin profesional të dëshmive dhe arkivave. “Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të krijohen hapësira për dialog ndërmjet komuniteteve dhe përfshirje më e madhe e të rinjve në diskutimet mbi të kaluarën. Kultura e kujtesës duhet të shihet jo vetëm si përkujtim i viktimave, por edhe si investim për paqe dhe demokraci”, nënvizon Blakaj.
Ndërkaq Hysni Berisha flet me zhgënjim për mungesën e mbështetjes institucionale, megjithëse irritimin më të madh e ka me mos vënien e drejtësisë në vend për krimet e luftës, respektivisht mohimin e vazhdueshëm të tyre nga autoritetet në Serbi.
“Pala e cila i ka kryer krimet asnjëherë deri më sot nuk ka kërkuar falje, po vetëm shkon me akuza edhe i akuzon institucionet tona. Na akuzon neve sikur ne jemi kryesit, e ata janë viktimat”, thotë i zhgënjyer ai.

Sipas raporteve të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave për masakrën në Suharekë dhe në lokalitete tjera, në Hagë janë dënuar gjashtë serbë, respektivisht Vlastimir Gjorgjeviq, Nikola Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq dhe Sreten Lukiq, me nga 18 deri në 22 vite burgim. Ndërsa Departamenti për Krimet e Luftës në Gjykatën e Qarkut të Beogradit, ka gjykuar tetë persona dhe ka dënuar katër të akuzuarit e përfshirë në këtë masakër.
Mungesa e drejtësisë së plotë, sipas aktivistit Blakaj, ndikon drejtpërdrejt në procesin e pajtimit dhe kujtesës.
“Kur krimet mbeten të pandëshkuara, kur viktimat nuk marrin njohjen dhe drejtësinë e merituar, dhe kur ende ka persona të zhdukur, atëherë plagët e luftës mbeten të hapura. Pa drejtësi dhe pa të vërtetë është shumë e vështirë të ndërtohet besimi ndërmjet komuniteteve dhe një paqe e qëndrueshme. Në këtë kuptim, kujtesa nuk mund të ndahet nga drejtësia , ato janë procese të ndërlidhura që duhet të ecin paralelisht për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme për të kaluarën e saj”, shprehet Blakaj.

Pavarësisht mungesës së drejtësisë së plotë dhe viteve të gjata të pritjes, muzeu i familjes Berisha vazhdon të qëndrojë si një vend kujtese kundër harresës.
Artikull i shkruar nga gazetari: Fisnik Minci
Ky artikull është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace – Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.