Harvardi ka bërë një shtesë në kurset e tij të gjuhës: Klasat fillestare të gjuhës shqipe kanë filluar këtë semestër, të vendosura në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së Afërt (NELC), i cili ofron gjithashtu persishten, turqishten, një dialekt sirian “aramaic”, dhe më shumë.
Edona Cosoviq, vajzë e emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi, ishte një nga studentët që nxiti përfshirjen e shqipes. E rritur në Shtetet e Bashkuara, ajo mësoi të fliste shqip në shtëpi, por e kuptoi se ishte e vështirë ta mbante gjuhën, pavarësisht dëshirës së madhe për ta bërë këtë.
“Kur isha fëmijë, prindërit e mi nuk kishin burimet për të na marrë televizionin shqiptar. Ne jemi në shkollë gjithë ditën, dëgjojmë TV amerikan, dhe gjithçka është në anglisht, kështu që ne e humbasim gjuhën shumë, shumë shpejt, brenda një brezi”, tha ajo, shkroi HarvardMagazine.
Harvardi është tani i vetmi universitet Ivy League që ofron gjuhën shqipe si kurs për ta mësuar. Megjithatë, gjuha ka një trashëgimi të gjatë mësimore në Shtetet e Bashkuara. E nxitur nga valët e hershme të emigrantëve shqiptarë, Kolumbia e mësoi atë me ndërprerje nga viti 1932 deri në vitet 1960. E konsideruar gjerësisht ndër gjuhët më të vështira për t’u mësuar, shqipja mësohet vetëm në disa institucione të zgjedhura amerikane, duke përfshirë Universitetin Shtetëror të Arizonës, Universitetin DePaul dhe Kolegjin Mercy në New York, shkroi më tej kjo revistë.
E standardizuar në vitin 1972, shqipja ka dy dialekte kryesore, të kuptueshme reciprokisht – gegën veriore dhe toskërishten jugore – si dhe disa nëndialekte dhe variante të tjera. Gjuha përbën degën e saj të vetme të familjes së gjuhëve indo-evropiane dhe ka një gramatikë komplekse. Përveçse është gjuha zyrtare e Shqipërisë dhe gjuha zyrtare në Kosovë, ajo flitet nga komunitetet pakicë në vende të tjera të Ballkanit, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë, Serbinë dhe Bullgarinë, si dhe në Greqi, Itali dhe Turqi.