LAJME

Gjini e quan Kurtin “superkriminel”: Kosova ka dalë prej binarëve kushtetues

Gjini e quan Kurtin “superkriminel”: Kosova ka dalë prej binarëve kushtetues
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Shtator 2026, 16:00

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar tallje me shtetin dhe dalje përtej binarëve kushtetues, caktimin e vazhdimit të seancës konstituive për 9 shtator. Duke e cilësuar këtë datë përtej çdo afati kushtetues, Gjini i ka quajtur Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin “superkriminelë”.

Të premten, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka caktuar për të mërkurën e ardhshme vazhdimin e seancës konstituive për legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Ky vazhdim mbahet përtej afatit kushtetues 30 ditësh prej certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve e edhe përtej 30 ditësh prej kur u mbajt seanca e parë.

“Ajo që e pamë sot, thirrja për 9 shtator është edhe një shkelje brutale e normës dhe bindjes kushtetuese dhe vetë Kushtetutës. Është mënyrë me u tallë me shtetin dhe qytetarët. Mënyrë për të abuzuar skajshëm me gjithçka që shteti ia ofron dikujt që i fiton zgjedhjet… me qeverisë. Shumica dërrmuee prej nesh e kemi ditë se edhe para 30 ditësh ka pasur shkelje, por kemi besuar se duhet mbajtur një rrugë çelë që Kosova të mos dalë jashtë çdo vije kushtetuese. Ajo që ka ndodhur sot është se një person që i ka zaptuar institucionet në mënyrë të paligjshme dhe është toleruar nga të gjitha partitë me ia caktuar vetes edhe 30 ditë e edhe këto 30 ditë i ka shkelur. Kosova është jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues. Kjo është anarki, thënë më së buti. Do të mbahen mend si superkriminelët më të mëdhenj të historisë, duke përdorur termet e tyre”, ka thënë Gjini teksa u ka bërë thirrje dy partive të tjera që deri tash ishin në opozitë, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike “të mendojnë dhe të mos bëhen pjesë e shkeljes brutale të Kushtetutës”.

“Sot Kurti s’ka lënë rrugë për zgjidhje normale dhe kushtetuese. I ka mbyllur të gjitha për të biseduar për të ardhmen e vendit. Po dëshiron ta caktojë vetë datën e zgjedhjeve përmes shkeljeve të njëpasnjëshme. S’ka asnjë autoritet sot që ushtron detyrën dhe që s’e shkel Kushtetutën, pos komunat”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, Kurti po e synon 22 nëntorin ose 27 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja.

Gjini ka paralajmëruar edhe takime me liderë të partive që deri tash ishin në opozitë, Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike.

“Duhet të bisedojmë mes vete për shkak se sot është tepër e qartë se edhe ata që kanë shpresuar apo shpresa ua ka mundur arsyen që t’i besojnë këtij njeri, sot e kanë kuptuar për çka bëhet fjalë. Duhet të bisedojmë, s’guxojmë të lëmë Kosovën të rrëshqasë në pakthim drejt anarkisë totale”, ka thënë Gjini.

Ai ka përsëritur se refuzon të takohet me Kurtin, pos nëse ballafaqohen në studio televizive.

Kuvendi është mbledhur dy herë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Në rastin e parë deputetët janë betuar e pas kësaj në foltore Kurti ka kërkuar shtyrje për të negociuar për çështjen e presidentit. Sipas tij, po që se konstituohej Kuvendi dhe formohej Qeveria pa marrëveshje për presidentin, zgjedhjet nuk do të shmangeshin.

Kurti negocioi vetëm me Lidhjen Demokratike. Me këtë parti ditë më parë u dakorduan për emrin e Bekim Sejdiut për kandidat për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan dhe numrat tani janë në rrezik.

Vetëvendosje me 53 deputetë të vet dhe me deputetët minoritarë joserbë e ka shumicën e thjeshtë për të formuar Qeverinë dhe konstituuar Kuvendin. Por për president duhen 80 deputetë të jenë në sallë në dy rundet e para.

Pasi 6 deputetë të LDK-së janë shprehur se s’kanë votë për Sejdiun, numri i atyre që besohet se mbështesin kandidaturën është 74.

Aleanca ka 7 deputetë ndërsa PDK-ja 22 si partia e dytë më e madhe në vend. Deputetët e të dyja këtyre partive kanë protestuar vazhdimisht në Kuvend duke bërë thirrje për mbajtjen e seancës konstituive./KOHA/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika