Shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, ka dhënë detaje rreth gjendjes së të lënduarve nga shpërthimi i një granate dore në Tregun e Kafshëve në Prizren.
Veçgishti ka thënë se pesë prej të lënduarve janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë tjerë janë liruar për në shtëpi.
“Rreth orës 05:00 të mëngjesit në Spitalin Rajonal Rajonal të Prizrenit janë sjellë 9 të lënduar, diku nga ora 07:00 është sjellë dhe i lënduari i dhjetë”- tha shefi i emergjencës Hekuran Veçgishti.
Të plagosurit sipas Veçgishtit kanë marrë lëndime në gjoks dhe në qafë dhe për shkak se të njëjtit nuk mund të trajtohen në Spitalin e Prizrenit, janë transferuar në QKUK.
“Pacientët kanë pasur lëndime në ekstremitetin në gjoks dhe qafë. Prej tyre pesë janë të liruar në shtëpi kurse të tjerët janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”- deklaroi ai.
Nëntë persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi i një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren mëngjesin e sotëm.
Të lënduarit janë dërguar në spital, ndërsa tre të dyshuar janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia./kallxo.com/