Në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Kosova i garanton gjykim të drejtë kryeterroristit Milan Radoiçiq, por ajo tha se Serbia duhet ta dorëzojë atë.
Sipas Gërvallës, Serbisë duhet t’i bëhet presion që ta pranojë sulmin në Banjskë më 24 shtator të 2023-s, duke shtuar se nëpërmjet këtij sulmi të armatosur u tentua të okupohej një pjesë e territorit të Kosovës.
“Ne mund të garantojmë që do të ketë gjykim të drejtë, por ky person (Milan Radoiçiq v.j.) duhet të mbahet përgjegjës për të gjithë atë aksion, atë grup paramilitar që kanë dashur të okupojnë një pjesë të territorit tonë për të formuar një korridor për ushtrinë serbe, që do të mund të hynte më pas së brendshmi. E për këtë është mirë t’i shmangim çështjet teknike e në ditët në vijim institucionet tona të sigurisë po punojnë në këtë drejtim e çdo ditë po konfiskohen materiale të tilla, me lidhjen e drejtpërdrejt me sulmin, pajisje shpërthyese që mbi të gjitha duhet të ketë pasoja politika që t’i vuajë Serbia për shkak se refuzojnë të pranojnë se kanë qenë prapa kësaj”, ka thënë Gërvalla.





