Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka deklaruar se përgjatë disa muajve, Serbia e ka kërcënuar vazhdimisht Kosovën me luftë.
Sipas saj, këtë e ka bërë edhe në lidhje me targat e automjeteve.
“Jam e sigurt që keni lexuar se si mund të fillojnë luftërat dhe jam e sigurt që nuk keni dëgjuar kurrë që një luftë mund të fillojë për targat. Por në të vërtetë nuk ka të bëjë me targat, por me mënyrën se si Serbia vepron në rajon. Ata marrin një çështje të vogël artificiale dhe e bëjnë aq të madhe sa përfundojnë duke folur për luftë dhe paqe”,tha Gërvalla për mediumin estonez ERR.
Tutje ajo tha se në anën tjetër, institucionet e Kosovës janë shumë stabile dhe se janë nën mbrojtjen ndërkombëtare dhe se të pranishëm vazhdojnë të jenë trupat e KFOR-it.
“Në këtë mënyrë, të gjithë në Beograd e dinë se nuk është ide mirë të na kërcënojnë me luftë. Por kjo disi është e lidhur me politikën e brendshme të Serbisë, të presidentit serb, Vuçiq që dëshiron ë tregohet si dikush që do të veprojë me forcë kundër komunitetit ndërkombëtar”,tha ajo.
Tutje ministrja Gërvalla është pyetur në lidhje me mundësinë e arritjes së një marrëveshje brenda këtij viti në mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas saj, dialogu i nisur me Serbinë që nga viti 2011 ka sjellur edhe rezultate të vogla, por sipas saj është pikërisht dialogu që çon në normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe.
“Së pari duhet njohje reciproke. Duhet të njohësh palën tjetër, sovranitetin dhe integritetin e saj dhe të fillosh të sillesh normalisht në bazë të kësaj. Është normale të sillesh si fqinj i mirë, të mos kërcënosh fqinjët me luftë. Është e mundur, besoj”,theksoi Gërvalla.
Ajo po ashtu tha se gjatë dy viteve në qeverisje janë përpjekur të sjellin dinamikë të re në dialogu dhe se janë përpjekur të tregojnë se zgjidhjet janë të mundshme.
“Bashkimi Evropian na ka premtuar që nga gushti i kaluar se do të kemi marrëveshje mujore në kuadër të këtij dialogu. Jam e shqetësuar që kjo nuk ka ndodhur. Jemi takuar një herë në dhjetor, për të diskutuar për numrat e makinave, por jo për marrëveshjen. Është e nevojshme që të arrihet normalizimi i marrëdhënieve, bëhet fjalë për njohje reciproke dhe mund të ndodhë. Por dialogu kërkon dy palë të interesuara dhe për momentin ndjej se Serbia nuk është shumë e përkushtuar ndaj tij. Varet nga ne të dy, por para se gjithash se sa seriozisht e merr Serbia procesin e dialogut”,shtoi ajo.
Gërvalla tha se një dialog i suksesshëm nuk mund të zhvillohet nëse fqinji ynë na kërcënon që të sjell ushtrinë në kufirin tonë.
Ministrja Gërvalla është pyetur po ashtu edhe për mundësinë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ata flasin për marrëveshjen e vitit 2015. Ka një dispozitë që është dashur të hyjë në fuqi vetëm nëse e miraton Gjykata jonë Kushtetuese. Por gjykata jonë kushtetuese konstatoi se kjo marrëveshje shkel 23 nene të Kushtetutës sonë. Nuk është e mundur të gjesh një qeveri në një botë demokratike, ose nuk duhet të jetë në gjendje të gjesh një qeveri të gatshme të zbatojë diçka që shkel kushtetutën e saj”,tha Gërvalla.
Ajo gjithash theksoi se Kushtetuta jonë është shumë e re dhe moderne dhe se ajo u krijua nga ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari, e që përfshin të drejtat e pakicave.
“Unë do të vë bast se kjo është Kushtetuta që aktualisht mbron më së miri pakicat në Evropë.Nëse Serbia dëshiron të flasë për të drejtat e pakicave, ne jemi të gatshëm të flasim përsëri për këtë, por nuk mund të flasim për këtë në mënyrë të njëanshme. Sepse të njëjtën mënyrë ka një pakicë të shqiptarëve në Serbi. Për ne nuk është problem t’u japim serbëve të njëjtat të drejta siç u jep Serbia minoriteteve të saj. Ne aktualisht garantojmë të drejta më të mëdha për pakicat se kushdo tjetër në rajonin tonë. Ne e dimë që negociatat e Brukselit përballen me shumë sfida, por jemi të bindur se delegacioni ynë do të arrijë rezultate të mira nëse Serbia vërtet fillon t’i marrë gjërat seriozisht”,theksoi ajo.
Ministrja Gërvalla tha se propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ka vdekur.
“Ju po flisni dy gjëra të ndryshme. Beogradi vërtet flet për këtë shoqatë, por ky propozim ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet. Gjykata Kushtetuese vendosi që kjo të mos ndodhte”.