LAJME

Gashi: Task-forca kundër korrupsionit, prej dhjetë vitesh nuk dha rezultate

Gashi: Task-forca kundër korrupsionit, prej dhjetë vitesh nuk dha rezultate
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Tetor 2020, 05:57

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi thotë se Task-forca e shkarkuar nuk kishte bazë ligjore.

Gashi në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se shkarkimi i Task-forcës kundër korrupsionit u bë pa i njoftuar partnerët ndërkombëtarë e që sipas tij kjo ka mundur t’i surprizojë ata.

“Nëse shohim punën e kësaj task-force për dhjetë vite nuk shihet se ka pasur ndonjë rezultat të theksuar. Kjo task-forcë në mënyrën se si është e ndërtuar rrezikon shumë që të përdoret kundër grupeve apo individëve”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se kjo task-forcë ka qenë instrument në dorën e kryeministrit që mund të përdorej kundër çdokujt.

“Kryeministri Hoti ka mundur t’i zëvendësonte këta emra me personat e afërt të tij dhe ta bënte edhe më të rrezikshëm këtë instrument”.

Gashi ka thënë se një task-forcë tjetër anti-korrupsion duhet të formohet por sipas tij ajo duhet të ketë bazë ligjore e “jo të jetë instrument në dorën e kryeministrit”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika