Komuniteti rom sot shënon Ditën Ndërkombëtare. Përfaqësues të këtij komuniteti theksojnë se pozita e tyre në shoqërinë kosovare ende lë për të dëshiruar. Punësimi dhe përmirësimi i kushteve të jetesës mbesin sfida me të cilat ata çdo ditë ballafaqohen.
Erxhan Galushi, deputet i komunitetit rom në Parlamentin e Kosovës, thotë se mbi 90 % të komunitetit rom, janë të pa inkuadruar në institucione të Republikës së Kosovës, përkundër asaj që parashihet me ligj. Ai thotë se shumë shpejt pritet vazhdimi i projektit për përmirësim të infrastrukturës ndaj komunitetit rom.
Radio Kosova: Z. Galushi, sot është Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kosovë. Cila është pozita e komunitetit rom në Republikën e Kosovës? A ka marxhinalizim të këtij komuniteti nga institucionet e Kosovës?
Erxhan Galushi: Sot është Dita Botërore e komunitetit rom, ku në të gjithë botën festohet kjo ditë për shkak të miratimit të flamurit, të himnit rom dhe të eliminimit të fjalorit pezhorativ kundrejt komunitetit rom. Sot në Republikën e Kosovës gjithandej flitet me aktivitete të shumta rreth komunitetit rom, prejardhjes së tyre dhe pozitës së tyre të përgjithshme në shoqërinë kosovare. Si deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, si përfaqësues i komunitetit rom, mund të them se ka progres në jetën e përgjithshme të këtij komuniteti, mirëpo, çdo herë ka vend dhe hapësirë për të përmirësuar këtë më tej.
P.sh: gjendja e komunitetit rom në aspektin social mbetet shumë pak e ndryshueshme edhe për kundër projekteve sociale të Qeverisë Kurti, kjo kërkon ende hapësirë për përmirësim, ndërsa rezultati më i mirë do të ishte punësimi i rregullt i komuniteteve në institucionet e përgjithshme shtetërore, për shkak se shumë fakte deri më sot flasin për një mos përfshirje të komunitetit rom në institucionet publike.
Kemi diku rreth mbi 90 % të mos punësimit apo të mos inkuadrimit të këtij komuniteti në institucione të Republikës së Kosovës, përkundër që shumë të rinj vazhdojnë dhe përfundojnë studimet e tyre në universitete të ndryshme të Kosovës po edhe jashtë saj. Kërkesë e vazhdueshme është avokimi dhe interesimi institucional për punësimin e këtij komuniteti, që të respektohet ligji për shërbyesit civilë, ku thuhet se 10 % e të gjitha komuniteteve duhet të jenë të inkuadruara në institucionet e Republikës së Kosovës. Është një sfidë më të cilën komuniteti ballafaqohet gjatë punësimit në institucione apo edhe për regjistrim në universitete e që është keqpërdorimi i identitetit nga ana e të tjerëve, ku punësohen e regjistrohen në emër të komunitetit rom.
Përndryshe të drejtat të cilat i gëzojnë këto komunitete në aspektin kushtetues qëndrojnë shumë mirë, por zbatimi është i zbehtë, po kërkohet sa më shumë që të respektohet Ligji dhe Kushtetuta për të drejtën maksimale që u takon edhe me legjislacion.
Radio Kosova: Çfarë roli po luan Këshilli Konsultativ për komunitete, i cili udhëhiqet nga presidentja e vendit.
Erxhan Galushi: Këshilli konsultativ për komunitete pranë Presidencës është një organ i pavarur, ka një rol më shumë raportues për shkelje eventuale të të drejtave të komuniteteve, por mund të them që nuk është edhe aq shumë funksional, por shpresoj që në të ardhmen do të forcohet më shumë dhe do t’i jepet më shumë përgjegjësi dhe kompetencë këtij organi dhe për shkak të interesit që mund të kenë të gjitha komunitetet jo shumicë nga ky institucion, mirëpo për momentin është shumë i zbehtë dhe jo shumë funksional.
Radio Kosova: Sa është aktiv komuniteti rom, në kërkesat e tyre, meqë ju jeni dy deputetë që përfaqësoni atë në Kuvendin e Kosovës!
Erxhan Galushi: Të them të drejtën unë e njoh vetëm një deputet, pra, e njoh vetën time. Përndryshe nuk e njoh një deputet tjetër i cili përfaqëson interesat e komunitetit rom në Parlamentin e Kosovës. Kjo është fare lehtë e verifikueshme edhe nga mos pjesëmarrja e tij në seancat e Republikës së Kosovës për arsye politike, sepse është një deputet i ardhur nga një parti satelite, me vota të orkestruara nga Lista Serbe dhe nuk i përfaqëson aspak interesat e komunitetit rom, por i përfaqëson interesat e subjektit politik të cilët e kanë sjellë në Kuvend, dhe kjo shihet më së miri nga mos pjesëmarrja e tij për pesë (5) muaj në seanca dhe në komisione parlamentare.
Radio Kosova: A ka përmirësim të gjendjes në aspektin e arsimimit dhe edukimit të komunitetit rom?
Erxhan Galushi: Në aspektin e edukimit ka progres dhe ka interesim shumë më të madh nga të rinjtë për të vazhduar shkollimin dhe për këtë, flasin edhe numrat dhe aktivitetet nga aktivistët që shumë të rinj janë të interesuar për përmirësimin e statusit të komunitetit rom në Republikën e Kosovës.
Radio Kosova: A ka raste përjashtuese ndaj pjesëtarëve të komunitetit rom, kur bëhet fjalë për kujdes shëndetësor?
Erxhan Galushi: Këtë gjë mund ta theksojmë p.sh, nga aspekti komunal. Në disa komuna qëndrojnë shumë mirë në trajtimin e aspektit shëndetësor, por në disa vende diskriminohen, paragjykohen dhe nuk u kryhen shërbimet shëndetësore ashtu siç parashihet me ligj. Por në përgjithësi, shërbimi është i mirë, por ka nevojë për përmirësim të dukshëm gjatë trajtimit shëndetësor të komunitetit rom.
Radio Kosova: Si qëndron gjendja me infrastrukturën dhe zgjidhjen afatgjatë të banimit të një pjese të komunitetit rom, të cilët jetojnë në kushte të vështira?
Erxhan Galushi: Ne, si Parlament, e kemi votuar edhe buxhetin për përmirësimin e infrastrukturës jetike të komunitetit RAE, ku kemi ndarë një shumë të konsiderueshme prej 3 milionë eurosh. Mirëpo është edhe një nismë e cila ka filluar para më shumë se dy vite e gjysmë dhe e cila ka ngecur për shkak të keq menaxhimit të kompanive dhe ndikimit partiak në ato lista për ndërtimin e shtëpive të komunitetit rom. Si deputet i komunitetit së bashku me kolegë të tjerë deputetë, kemi arritur në atë nivel që të avokojmë sa më shumë që është e mundur që të zbardhet ky rast që këtë vit përsëri të fillohet nga aty ku ka mbetur para dy viteve e gjysmë më qëllim që të mundësohet përmirësimi i kushteve të infrastrukturës për këtë komunitetet.
Radio Kosova: z. Galushi, për fund, në çfarë pozite e shihni komunitetin rom pas vjet 10 vitesh?
Radio Kosova: Unë e shoh një përmirësim në aspektin ekonomiko- social të komunitetit rom. Shpresoj shumë që komuniteti rom do ta ndjejë jetesën e barabartë me komunitetet e tjera, me çështjet elementare të jetesës, infrastrukturën e mirëfilltë në banimet e tyre. Po besoj që edhe niveli i punësimit të këtij komuniteti do të jetë numerikisht më i madh, nga fakti se meqenëse po avokojmë, qoftë partitë politike, qoftë organizatat joqeveritare, qoftë mediet nga të gjitha anët. Shpresoj se do të merret mirë nga institucionet e vendit dhe do të ketë një vullnet të posaçëm për përfshirjen e pjesëtarëve të komunitetit në institucionet qendrore, jo vetëm në bazë të kuotave të garantuara, por edhe në bazë të meritave.