LAJME

FSK vizitoi Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Shqipërisë

FSK vizitoi Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Shqipërisë
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Qershor 2026, 12:18

Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion i Gardës Kombëtare dhe Komandës së Logjistikës së FSK-së, kryesuar nga zëvendës komandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Valdet Berisha, realizuan vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse dhe strukturat vartëse të saj në FARSH.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë vizitës, delegacioni u prit nga komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Aleksandër Pando dhe stafi i tij, ku u zhvilluan takime profesionale të fokusuara në fushën e logjistikës, trajnimeve dhe emergjencave civile.

“Delegacioni pati mundësinë të njihet nga afër me misionin, strukturën organizative dhe kapacitetet e Komandës Mbështetëse, si dhe të vizitojë kapacitetet logjistike dhe ato të emergjencave civile, duke u informuar në detaje mbi organizimin, pajisjet dhe procedurat që përdoren në mbështetje të operacioneve ushtarake dhe menaxhimit të situatave emergjente.” – thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur, takimet u karakterizuan nga shkëmbimi i përvojave profesionale dhe diskutimet për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në logjistikë dhe Emergjenca Civile, trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale.

“Vizita u zhvillua në frymën e partneritetit dhe besimit të ndërsjellë, duke kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.” – njofton FSK.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika