LAJME

FSK gati për mision në Gazë, Jashari: Ushtri profesionale dhe e trajnuar sipas NATO-s

FSK gati për mision në Gazë, Jashari: Ushtri profesionale dhe e trajnuar sipas NATO-s
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Mars 2026, 14:39

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, realizoi video konferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force), gjeneral Major Jasper Jeffers III nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të bërë koordinimet e nevojshme për dislokimin e FSK-së në rripin e Gazës.

Siç bëhet e ditur në njoftim, me këtë rast gjeneral Jashari falënderoi gjeneralin Jeffers dhe përmes tij ushtrinë e SHBA-së, për ftesën drejtuar FSK-së për të marrë pjesë në këtë operacion ndërkombëtar në rripin e Gazës.

Gjithashtu, bëhet e ditur se komandanti i FSK-së, konfirmoi gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje në këtë operacion ndërkombëtar me një kontingjent duke theksuar që FSK është ushtri profesionale, e trajnuar me standarde të NATO-s dhe e gatshme të eksportojë siguri kurdo që një gjë e tillë kërkohet nga ushtritë e shteteve partnere, e në këtë rast të SHBA-së.

Në fund të takimit, gjenerali Jeffers III falënderoi gjeneral Jasharin për gatishmërinë e FSK-së për të ofruar siguri në lindjen e mesme duke qenë partner serioz dhe promovuese e paqes dhe stabilitetit në botë, njofton FSK.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika