Viruset tek fëmijët janë të shpeshta sidomos në sezonin dimëror, por edhe në atë të pranverës. Reparti i Emergjencës Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ditëve të fundit ka pranuar numër të madh të fëmijëve të prekur nga viruset e stinëve.
Kështu tha në një intervistë për Telegrafin, doktoresha, Afërdita Selmanaj, pediatre si dhe shefe e Emergjencës pediatrike në QKUK.
Sipas saj, për shkak të viruseve që janë në qarkullim këto ditë kanë pasur shtim të numrit të rasteve.
Afërdita Selmanaj – pediatër si dhe shefe e emergjencës pediatrike në QKUK
Ajo tregoi se në Emergjencën pediatrike diku për 24 orë janë vizituar 150-160 pacientë, ndërkaq, 20-25 prej tyre janë hospitalizuar.
“Si simptomë kryesore ka dominuar temperatura deri në 40 gradë, e cila ka zgjatur 5-7 ditë. Por ka pas edhe simptoma tjera kollitje, lodhje, dhimbje fyti – simptoma të gripit. Më e atakuar ka qenë mosha e vogël nga 0-3 vjeç”, ka thënë Selmanaj.
Por, doktoresha tregoi se në këtë repart vijnë të gjitha rastet, edhe ato pa udhëzim nga Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF).
Ndërsa, infermierja e këtij reparti, Lavdie Bytyqi theksoi se për shkak të prezencës së virusit numri i pacientëve është i madh.
Mirëpo, siç tha ajo pavarësisht numrit të madh, ata janë në shërbim të pacientëve 24 orë.
“Për shkak të prezencës së virusit tani që e kemi, numri i pacientëve është bukur i madh. Pavarësisht numrit të madh të pacientëve ne jemi 24 orë në gjendje gatishmërie të kryejmë shërbimin tonë ashtu siç na takon neve si infermierë. Shumica e pacientëve vijnë të udhëzuar nga QMF-të, por edhe ata të cilët vijnë direkt nga shtëpia, trajtimin e marrin të gjithë njësoj”, ka thënë Bytyqi.
Telegrafi sa qëndroi në këtë repart për të shikuar nga afër situatën e fluksit të madh të fëmijëve bisedoi dhe me disa prindër, të cilët i kishin sjell fëmijët e tyre për kontroll.
Vjollca Sejdiu Zeka, e cila kishte ardhur për t’ia kryer një kontroll vajzës së saj tregoi simptomat e këtij virusi.
“Kam ardhur në vizitë për të kontrolluar vajzën. Ka simptoma dhimbje barku, edhe ethe ka pas mbrëmë. Më orientoi doktoresha e shtëpisë së shëndetit, shërbimi ishte shumë i mirë, kontrolli që iu bë vajzës ishte shumë mirë”, tha ajo.
Ndërsa, një nënë tjetër Florentina Reçica, e cila e kishte sjell vajzën e saj 1 vjeçare për kontroll tregoi për shërbimet që i ofron ky repart.
“Temperaturë, kollë, hundë… sot e solla këtu në kontroll. Nga Vranidolli e bij këtu, ia bëj kontrollet, janë shumë mjekë të mirë”, ka thënë ajo.