Autoritetet finlandeze thanë të mërkurën se kanë hapur një hetim mbi këputjen e një kablloje komunikimi në shtratin e Detit Baltik, që lidh Finlandën me Gjermaninë. Suedia tashmë ka nisur një hetim mbi një incident të ngjashëm të këputjes së një kablloje tjetër komunikimi. Autoritetet e të dyja vendeve po hetojnë për të parë nëse këto incidente janë akte sabotazhi.
Kablloja “C-Lion1”, e cila kalon mes Finlandës dhe Gjermanisë, u dëmtua të hënën, një ditë pas dëmtimit të një kablloje të ngjashme nën Detin Baltik, mes Lituanisë dhe Suedisë, afër ishujve suedezë të Olandit dhe Gotlandut. Ministri gjerman i Mbrojtjes tha të martën se dëmi duket se ishte pasojë e një sabotazhi, megjithëse aktualisht nuk ka prova për këtë.
Byroja Kombëtare e Hetimit në Finlandë tha se hapi një hetim penal për këputjen e kabllos “C-Lion1”, duke thënë se dyshohet për “një veprim kriminal dhe ndërhyrje të rëndë në sistemet e komunikimit”.





