Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave nëpër festa me slloganin “Festo me zemër, jo me armë”
Zëvendësministri i kësaj ministrie, Blerim Gashani, i cili është edhe koordinator nacional për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivit, tha se kjo fushatë po fillon zyrtarisht, por që dëshira është që vetëdijesimi të jetë për 365 ditë.
Gashani tha misioni i MPB-së është që të avancojë sigurinë në publik në bashkëpunim me qytetarët.
“Statistikat tregojnë se armët pa leje janë shkaktar të vrasjeve të shumta në vend” – tha Gashani.
Tutje zëvendësministri tha se Policia çdo vit konfiskon përafërsisht 1 mijë e 500 armë ilegale të llojeve të ndryshme.
Prezente ishte edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Arma është e rrezikshme, ajo sjellë vetëm hidhërim” – u shpreh Gërvalla.
Ajo tha se përmes kësaj fushate tentohet që të vendoset rend.
“Së bashku, le ta kujtojmë festën, e jo tragjedinë” – tha e para e MPJD-së.
Në emër të zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë foli Annemarie Douwes.
Ajo tha se është e domosdoshme që qytetarët të vetëdijesohen lidhur me pasojat që shkaktohet nga gjuajtja me armë në raste të festave.
Një fjalë rasti mbajti edhe drejtori i Operacioneve në Polici, Arbnesh Ajvazi.
“Siguria është element kryesor për çdo shoqëri në botë, për të jetuar lirshëm është në interes të qytetarëve, çdo rrezik për sigurinë dëmton rënd të drejtat elementare për qytetarët” – u shpreh Ajvazi.
Sipas tij, gjuajtja me armë në festa është ende një problem në Kosovë.
“Sfida kryesore është që të edukojmë dhe të vetëdijesojmë qytetarët. Vetëm duke punuar bashkë mund të krijojmë një ambient më të sigurte” – shtoi tutje ai.
Sipas drejtorit të operacioneve në PK, pjesa më e madhe e armëve që përdoren për te gjuajtur në festa janë të jashtëligjshme.
Statistikat tregojnë se rastet e raportuara në PK për gjuajtjet me armë zjarri në ahengje apo festa nga fillimi i qershorit deri në fund të muajit gusht 2023 janë gjithsej 142.
4.92% e këtyre rasteve janë cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
35.21% janë cilësuar si mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
32.39% janë cilësuar si përdorin i armës apo mjetit të rrezikshëm.
27.46% janë cilësuar si bashkim veprash penale.
Gjatë kësaj periudhe, qershor-gusht 2023, ka pasur rritje të rasteve të përdorimit të armëve gjatë ahengjeve familjare për 17.60% të rasteve ose 25 raste më shumë sesa vitin e kaluar, pra 2022.