LAJME

Fermerët “lajnë” me qumësht Ministrinë e Bujqësisë

Fermerët “lajnë” me qumësht Ministrinë e Bujqësisë
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Korrik 2026, 11:21

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit po mban protestë para Ministrisë së Bujqësisë.

Fermerët janë duke protestuar me mjete bujqësore dhe kanë derdhur qumësht para objektit të Ministrisë.

Sipas Shoqatës vendimi për protestë u mor unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik.

“Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek akterët kompetentë”, thuhej në njoftimin e shoqatës.

Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: “Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit; Publikimin urgjent të rezultateve, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi produktet vendore; Kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave”.

Protesta po mbahet pasi javën e kaluar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se përmes inspektimeve në kompaninë “Vita” ka hasur në mospërputhje me legjislacionin në fuqi pas verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit e inspektimit të linjave.

Pa u bërë 24 orë nga inspektimi kompania po më 2 korrik njoftoi ndërprerjen e punës në qumështore. E drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Vita”, Arton Spahija, ka thënë se bordi e kishte marrë këtë vendim.

Pas kësaj Komisioni inspektues i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konstatuar se fabrika për përpunimin e qumështit “Vita” në Istog ka shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit. Zyrtarët e AUV-së thanë se rezultatet përfundimtare priten pas analizave laboratorike.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika