Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, po zhvillohet projekti “Rreze drite në emblemën time”, i cili synon të afrojë fëmijët me Policinë dhe të përcjellë te brezi i ri vlerat e bashkëpunimit, respektit, sigurisë dhe besimit.
Projekti, me moton “Një rrugëtim i përbashkët, një mision i përhershëm”, po realizohet në të gjitha drejtoritë rajonale policore.
Përmes tij, fëmijët kanë mundësi të shprehin kreativitetin dhe këndvështrimin e tyre për Policinë, duke e parë emblemën jo vetëm si simbol institucional, por edhe si emblemë të shërbimit, mbrojtjes dhe përkushtimit ndaj qytetarëve. Fëmijët kanë pasur mundësi edhe të veshin uniformën e Policisë, të dizajnuar dhe përshtatur për ta.
Sipas Policisë së Kosovës, aktiviteti u mundëson fëmijëve të njihen më nga afër me punën e zyrtarëve policorë, ndërsa për Policinë përfaqëson një hap tjetër në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me komunitetin dhe edukimin e brezave të rinj për një shoqëri më të sigurt.
Në 27-vjetorin e saj, Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar që, krahas ruajtjes së rendit dhe sigurisë, të jetë sa më pranë qytetarëve, veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve, duke kultivuar besim, respekt dhe bashkëpunim.