Radio Televizioni Publik i Kosovës (RTK), po përballet me një situatë kritike, me krizë financiare, borxhe, financim direkt nga qeveria dhe pa status të zgjidhur të pronës, me mbipunësim e kushte të rënduara të punës, me akuza të vazhdueshme ndaj menaxhmentit për shpërdorim të buxhetit dhe pozitës zyrtare, me afera e ndërhyrje konstante të politikës.
Si i vetmi medium publik në Kosovë, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, punëtorët e RTK-së mbesin me sy nga pushteti i ri, nëse do t’ua bëjë një zgjidhje, apo kriza do të thellohet më tej. Partia që i mori krejt në zgjedhje, Vetëvendosje po premton se do të iniciojë së pari hetim parlamentar lidhur me keqpërdorimet në RTK.
Që nga ndërprerja e financimit përmes faturave të KEK-ut dikur, fondet për RTK-në janë varur nga vullneti politik, qeveritë dhe legjislaturat e ndryshme. Që të gjitha, kanë ndikuar në rënien e mediumit publik, që dikur kishte ndikim, shikueshmëri dhe besueshmëri të madhe në opinionin publik.
Sidomos prej se PDK mori pushtetin, Transmetuesi Publik u bë çerdhe e klaneve të ndryshme dhe njerëzve të fuqishëm të politikës, me menaxhim gjithnjë e më të dobët.
Ndonëse milionat hynin në RTK nga buxheti i taksapaguesve, pa llogaritur këtu të hyrat nga marketingu apo donacionet e ndryshme, cilësia e programeve binte, pavarësia editoriale humbi dhe RTK ndoqi kështu fatin e kompanive publike në rënie të lirë.
Një shpresë është ngjallur se RTK-ja mund t’i kthehet publikut, pas ndryshimit të pushtetit, por duhen pritur hapat konkretë.
Partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje po premton se lidhur me keqpërdorimet që sipas saj vazhdojnë të bëhen në RTK, do të iniciojë edhe hetim parlamentar.
Këtë kërkesë partia e kryeministrit Albin Kurtit e kishte bërë edhe para se të vinte në pushtet.
‘Kemi punë me bordin’
Anëtari i Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media nga Vetëvendosje, Valon Ramadani i cili ishte pjesë e tij edhe në legjislaturën e kaluar tha për Syri Kosova se lidhur me parregullsitë në Televizionin Publik duhet të formohet një Komision Hetimor Parlamentar që të analizojë gjendjen në të cilën ndodhet RTK-ja aktualisht.
“Në RTK ka shumë parregullsi. Ne si Komision kemi punë vetëm me Bordin e RTK-së, jo me menaxhmentin. Hetimi parlamentar për në RTK ka qenë edhe kërkesë e Vetëvendosjes dhe ne nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë deri tash atë. Parregullsitë në RTK janë qysh moti. Duhet një Komision Hetimor Parlamentar që fillimisht ta skanojë gjendjen aty”, tha Ramadani.
Në bazë të Ligjit për RTK-në, kjo e fundit çdo 31 mars ka për obligim që përmes Bordit të saj të raportojë rreth punës në Komisionin për Media, por që sipas Ramadanit ka tre vite që kur në këtë komision nuk ka kaluar asnjë raport i këtij Bordi për arsye që siç thotë ai, asnjëherë nuk ka pasur raportim të mirëfilltë.
Për më tepër deputeti i Vetëvendosjes theksoi se RTK-ja ka nevojë të kthehet në institucion të pavarur dhe të ç’kapet nga njerëzit që e kanë kapur qe një kohë të gjatë atë.
“Ka dy-tri vite që nuk është duke kaluar kurrfarë raporti në Komision. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë raportim të mirëfilltë nga RTK-ja në Komisionin për Media. RTK-ja ka nevojë të ç’kapet prej atyre që e kanë kapur qe një kohë të gjatë dhe me kthyer tamam në një institucion të pavarur që është i thirrur edhe me Ligj edhe me rregulluar në formën më të mirë të mundshme. Unë po shpresoj shumë që ka me pasur hetues që do të merren me këtë punë. Por që fillimisht duhet të shikohet edhe çështja e Bordit aktual”, u shpreh Ramadani.
Kusari: Politika, veçmas PDK-ja e keqpërdori RTK-në
Juristja e të drejtës së medias në Kosovës, Flutura Kusari tha se Transmetuesi Publik është bërë sinonim i keqpërdorimeve të shumta nga disa parti.
Ajo ka vënë një theks të veçantë tek Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që sipas saj përmes mënyrave të ndryshme ka ushtruar ndikim në mediumin publik.
Madje Kusari ka përmendur edhe ndikimin që është bërë në përmbajtjen e informacioneve gjatë edicioneve të lajmeve qendrore.
“Radio Televizioni i Kosovës është sinonim i dyshimeve të vazhdueshme për keqpërdorime të shumta. Disa parti politike, në veçanti Partia Demokratike e Kosovës, përmes formave të ndryshme kanë ushtruar ndikim në RTK. Ndikimi është bërë si në përmbajtjen e informacioneve, sidomos në lajmet qendrore, ashtu edhe në punësimet që dyshohen se janë bërë për të akomoduar njerëz të ndërlidhura me partinë”, tha Kusari për Syri Kosova.
Se në Radio Televizionin Publik të Kosovës duhet të bëhet hetim parlamentar e thotë edhe Kusari.
Ajo vlerëson se në mënyrë që të zbardhën të gjitha dyshimet rreth RTK-së duhet vërë para drejtësisë personat përgjegjës të këtij mediumi.
“RTK duhet të hetohet nga prokurorët dhe nga parlamenti. Prokuroria duhet menjëherë të nisë hetime dhe të zbardhë të gjitha dyshimet rreth RTK dhe të vërë para drejtësisë personat përgjegjës. Komisioni për media i Kuvendit po ashtu duhet të iniciojë një hetim parlamentar. Hetimi duhet të përgatitet mirë, të përfshijë ekspertë dhe të bëhet nën monitorimin e organizatave ndërkombëtare”, tha Kusari.
Kryesindikalisti Hoxha denoncoi në vazhdimësi skandalet
Radio Televizionin Publik i cili financohet nga buxhetit i Kosovës nuk posedon të dhëna për numrin e punëtorëve në këtë medium të pavarur.
Por që sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, aktualisht në këtë medium janë të punësuar rreth 800 punëtorë me kontratë të rregullt dhe mbi 200 të tjerë me kontratë mbi vepër.
“Organet e hetuesisë duhet t’i hetojnë punësimet klienteliste, nepotike, partiake, të realizuara pa kontrolle e pa respektim të kritereve; kontratat me producentë të pavarur; tenderët për blerje/marrje me qira të pajisjeve teknike; përfshirjet e familjarëve të drejtuesve të RTK-së në interesa financiare; mëditjet për udhëtime jashtë vendit; tenderin për qira marrje të veturave”, tha Hoxha.
Në Radio Televizionin Publik sipas Hoxhës janë duke vazhduar të bëhen punësime të shumta nepotike e klienteliste.
Ai thotë se së fundi drejtorët e Financave në këtë medium, Adelina Valla dhe Erzen Këpuska që përveç pagës së rregullt që marrin, të njëjtit sipas Hoxhës marrin edhe pagë tjetër shtesë.
Madje ai thotë se Adelina Valla ka punësuar edhe motrën e saj me kontratë mbi vepër.
“I kemi rastet e drejtorëve të administratës dhe financave, Erzen Këpuska dhe Adelina Valla, të cilët përveç pagës së rregullt kanë marrë edhe paga shtesë. Tash së fundi drejtoresha e financave, Adelina Valla e ka punësuar motrën me kontratë mbi vepër. Ose rasti kur shpërblehet financiarisht gruaja e zv. drejtorit gjeneral, Mentor Shalës”, tha sindikalisti.
Hoxha ka pohuar se edhe kryetari i Bordit, Sali Bashota vitin e kaluar ka punësuar dhëndrin e tij me kontratë mbi vepër.
Ai ka përmendur edhe familjarët e ish-deputetit Milaim Zeka i cili merr pagë nga RTK-ja, bashkëshortja e të cilit si dhe djali i motrës së saj janë angazhuar me kontratë mbi vepër në njërin nga Produksionet në RTK.
“Kryetari aktual i Bordit, Sali Bashota, gjatë vitit të kaluar e ka punësuar dhëndrin me kontratë mbi vepër. Pastaj ish-deputeti Milaim Zeka, i cili ka aktakuzë për mashtrim me viza të mbi 900 qytetarëve të vendit, përveç që merr vet pagë nga RTK, pagë nga RTK merr bashkëshortja e tij si dhe djali i motrës së bashkëshortes i angazhuar me kontratë mbi vepër në njësinë Produksionit”, u shpreh Hoxha.
Të punësuar në mediumin publik sipas Hoxhës janë edhe djali i vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi, Leotrim Thaçi i cili është angazhuar me kontratë mbi vepër si menaxher i Njësisë për të Drejtat Autoriale në RTK.
Njëjtë ka vepruar edhe anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Migjen Kelmendi i cili sipas Hoxhës ka punësuar vajzën e tij në ueb-in e lajmeve të RTK-së.
“Gjatë janarit të këtij viti në RTK me kontratë mbi vepër është angazhuar edhe djali i vëllait të ish-Presidentit Thaçi, ndërsa bashkëshortja e tij është punësuar disa vite më herët bashkë me vëllai e saj. Ditëve të fundit është punësuar edhe vajza e Migjen Kelmendit në ueb faqen e RTK-së”, tha ai.
Në lidhje me këto punësime, Hoxha ka kërkuar të ketë hetime nga Prokuroria edhe lidhur me shpërblimet që janë dhënë për menaxhmentin si dhe familjarët e tyre.
“Këto janë vetëm disa prej punësimeve nepotike e partiake me të cilat do të duhej të merrej Prokuroria. Hetime duhet të ketë edhe të shpërblimet dhe aneks kontratat, të cilat janë dhënë për familjarë të menaxhmentit si dhe për vet menaxhmentin”, tha më tej Hoxha.
Zgjedhja e kontestuar e drejtorit të përgjithshëm zvarritet në Gjykatë
Në qershorin e vitit 2019, Sindikata e Pavarur e RTK-së ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës për mënyrën e zgjedhjes së drejtorit gjeneral të këtij medium, Ngadhnjim Kastrati.
“Në muajin qershor të 2019, Sindikata ka dorëzuar padi në gjykatë për zgjedhjen e paligjshme të drejtorit gjeneral të RTK-se, Ngadhnjim Kastrati nga Bordi i saj. Është shqetësuese që gjykata për tash e gati dy vjet nuk po e trajton padinë e Sindikatës”, tha Hoxha.
E, lidhur me këtë padi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi i ka thënë se kjo padi ende nuk është caktuar, pasi siç tha ajo gjyqtarja e çështjes është duke i trajtuar lëndë më të vjetra të kësaj natyre.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju informojmë se gjyqtarja e çështjes ka marr disa veprime procedurale për përgjigje në padi lidhur me këtë lëndë. Lënda në fjalë nuk është caktuar ende për shkak se nga gjyqtarja e çështjes aktualisht janë duke u trajtuar lëndë më të vjetra të kësaj natyre,. E njëjta lëndë do të caktohet në bazë të arritjes së lëndës në gjykatë”, tha Gashi.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha ka kërkuar nga Kuvendi i ri i Kosovës që ta shkarkojë Bordin aktual dhe të zgjedh një tjetër profesional.
“Atë që duhet ta bëjë me urgjencë Kuvendi i ri i Kosovës është kthimi i ligjshmërisë në këtë institucion, duke e shkarkuar Bordin aktual dhe zgjedhur një Bord profesional, i cili do ta pengonte degradimin e mëtejmë të Transmetuesit Publik”, tha Hoxha.
Syri Kosova ka gati një muaj që vazhdimisht ka tentuar të kontaktojë me drejtorin e Bordit të RTK-së, Sali Bashota për të marrë përgjigje rreth raportimit në Komisionin për Media si dhe për punësimet në RTK që janë raportuar, por që komunikimi me të ka qenë i pamundur.
Po ashtu më datë 31 mars, Syri Kosova i ka dërguar edhe një e-mail kryetarit të Bordit me pyetje që lidhen rreth punësimeve në mediumin publik, por që deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.
Mesatarisht, çdo vit në RTK hyjnë nga buxheti i shtetit rreth 13 milionë euro, që kryesisht shkojnë për paga e shpenzime.
Një përqindje e këtij buxheti shkon për produksione të jashtme, që shpesh janë bërë objekt i denoncimeve nga Sindikata për keqpërdorime të mundshme. RTK, edhe pse ka staf të brendshëm me shumicë, për shërbime që mund t’i kryejë brenda institucionit, ka dhënë qindra mijëra euro.
Edhe pse denoncimet e aferave nuk kanë munguar, çështja e mediumit publik, nuk është adresuar asnjëherë me seriozitet deri më tash.
Mbipunësimi, borxhet e vjetra, objekti që nuk plotëson as kushtet elementare për punë, janë sfida për Kuvendin që duhet t’i trajtojë me urgjencë nëse duan përmirësim të situatës.
Zakonisht, zgjedhja e bordit e më pas e menaxhmenteve, ka rrjedhur në prapaskenat e politikës në pushtet, që ka deleguar njerëzit e afërt, të bindur, pavarësisht kapaciteteve të dobëta menaxhuese dhe mungesës së integritetit e profesionalizmit për të udhëhequr një medium publik.
Se a do ta ndryshojë këtë traditë me pasoja dramatike për RTK-në, pushteti i ri, mbetet të shihet. Vetëvendosje e ka mundësinë dhe fuqinë politike e ekzekutive për ta zgjidhur çështjen e pronës dhe financimit, si dhe për t’i hapur rrugën depolitizimit e ardhjes në shprehje të profesionalizmit në Radio Televizionit Publik të Kosovës.
Dikur, profesionistët më të mirë të mediave në Kosovë, ambicie e kishin të punonin në RTK, por sot, me dëshirë, asnjëri prej tyre nuk i kthen sytë andej.