Për një sociolog dhe për çdo njeri që shkruan në çdolloj forme, besoj duhet një ngacmim i jashtëm, një nxitje që të zgjon dëshirën për të hedhur mendimet në rreshta dhe refleksione.
Mendoj se ky moment është pikërisht tani. Ndiej dhe shikoj se familja po shkërmoqet përpara syve tanë socialë; statistikat e divorceve po shtohen dita- ditës. Marrëdhëniet shoqërore janë çdo herë edhe më sipërfaqësore dhe pa kurrfarë sensi.
“Martesa”, si në fillim dhe deri në mbarim, ajo është emocionale mes partnerëve. T’i lëmë letrat që firmosen, mbiemrat që merren dhe jepen, të fokusohemi pak tek emocioni, te ndjenja, lidhja jonë shpirtërore, te rehatia dhe qetësia që kemi, që marrim apo japim në martesën tonë.
Pse janë rritur divorcet dhe janë ulur shifrat e martesës?
Divorci, sa fjalë e shëmtuar po aq edhe zgjidhje shpëtimtare për dikë. “Të mëdhenjtë e parritur”, kanë gjetur zgjidhjen më të thjeshtë – ose rrinë vetëm, ose ndahen në të parën mundësi që u jepet, pa tentuar fare të rimëkëmbin, të ushqejnë marrëdhënien dhe t’i japin jetë emocionit martesor. Në ditët që jetojmë lehtësisht martohesh dhe po aq lehtësisht në një ditë të zakonshme e zgjidh martesën … dhe vjen një ditë që dëgjon panele opinionesh që nxisin direkt ose tërthorazi divorcin në emisione të ndryshme televizive.
Divorci martesor është zgjedhje dhe zgjidhje personale e gjithë secilit dhe në raste ekstreme është shpëtim. Si sociologe, grua dhe si nënë nuk mund të jem pro tij në konfliktin e parë, të dytë, apo të tretë, apo vështirësinë e parë që një çift ka në martesën e tij. Shumica e shkaqeve të divorceve janë mosmarrëveshjet, arritja në një pikë ku vdes dialogu, fjala e folur dhe mendimet mbushen vetëm me negativitet. Gabimi i madh i njerëzve të rritur.
Dua të fokusohem te ky grup çiftesh, të cilët nuk kanë më mirëkuptim në mes tyre.
E kam të pamundur të rrek arsyen të kuptoj që kjo ndodh, se si ky burrë dhe kjo grua merreshin vesh dhe papritur gjithçka zerohet. Kjo nuk do të ndodh nëse ne nuk e lejojmë, nëse ne i japim frymë dhe jetë, nëse ne vendosim të flasim me njëri- tjetrin, të ftojmë njëri- tjetrin për një ëmbëlsirë apo një gotë çaj dhe të gjejmë balancën tonë.
Nëse japim nga vetja më të mirën pa diskutim që jeta jonë emocionale nuk çedon. Kush tha që martesa është vetëm e lumtur. Martesa është jeta reale, nuk është teori e mësuar. Me të shtohen përgjegjësit, detyrat, dëshirat, dashuritë dhe emocionet. Nëse trajektorja e tyre është një stonim i shëmtuar, atëherë do të përfundosh në zgjidhjen e saj. Koha cilësore e kaluar së bashku, adhurimet dhe vlerësimet reciproke, gëzimi për arritjet tuaja dhe shprehja e dashurisë verbale dhe jo vetëm e bën çiftin tuaj unik, e bën martesën tuaj të lumtur.
Plotësimi i dëshirave individuale dhe të përbashkëta e përmbush qenien tua e duke qenë ju të lumtur rrjedhimisht kjo reflektohet edhe te të gjithë ata njerëz që ju rrinë pranë.
Komunikoni me njëri- tjetrin. Përmes fjalës arrihet me shumë se sa ju mund ta imagjinoni.
Unë kam disa këshilla fillestare për ju.
– Martesa duhet të plotësojë pritshmëritë tuaja dhe jo të palëve të treta.
– Martesa është unike dhe është vetëm e juaja, mos e krahasoni atë me asnjë martesë tjetër
– Nëse dashuria juaj kërkon një çukitje, shtojeni vullnetin, durimin dhe ndërtoni urat e bashkëbisedimit, është më e thjeshtë sesa ju mund ta mendoni.
– Vendosni të bashkëbisedoni me një këshilltar martese dhe familje.
A është më i lehtë divorci se sa komunikimi me fjalë? Unë nuk e besoj. Të gjithë duhet të lobojmë për të nxitur martesën e shëndetshme, frymën e familjes së lumtur, nga e cila buron shoqëria më e mirë.
Edukoje martesën tënde. Të edukosh do të thotë të udhëheqësh, të drejtosh dhe është pikërisht ajo që na duhet. Duajeni martesën dhe familjen që keni krijuar. E di se jeta ecën me ritme tepër të shpejta dhe ju jeni fokusuar te puna, sigurimi i të ardhurave, por mos harroni asnjëherë të bashkëveproni dhe sinkronizoni kohën e përbashkët. Mos harroni të doni atë që keni krijuar. Po s’e bëtë këtë, do të përfundoni duke i thënë njëri- tjetrit: – Kush je ti? Sepse nuk keni pasur kohë të rrini së bashku dhe të bisedoni, keni qenë përherë tepër të zënë me punë, keni harruar veten dhe tjetrin, keni harruar çiftin e bukur që ju jeni.
Martesa nuk është send, është gjendje emocionale, e ndjeshme, frikësohet lehtësisht dhe kërkon në vazhdimësi ekuilibrin e brishtë martesor. Njeriu ka nevojë për dikë që ta dojë shumë, që të dojë edhe jo perfekten e tij.
Jepini martesës suaj gëzim dhe dëshirë, nxirreni nga apatia. Martesa mund të përballojë një koktej ndjenjash, ka pak aty urrejtje, zemërim, hera- herës dëshpërim apo çfarëdolloj tjetër ndjenje, por kurrsesi ajo nuk përballon asgjënë, apatinë që ju i keni dhënë marrëdhënies suaj. Zgjohu!!
Ju mendoni se martesa e lumtur është ajo që plotëson të gjitha dëshirat tona dhe çdo gjë shkon si dëshirojmë ne, mendoni se një martesë e dështuar është plot dëshpërim dhe vuajtje. Nëse menduat si më sipër, aq më keq për ju. Ç’faj ka martesa që nuk i plotësoj dëshirat tona. Ajo ishte e përsosur, ajo nis e tillë. Jemi ne si qenie egoiste që nuk shfrytëzuam mrekullinë e saj Vazhdimi lidhet me pikënisjen, aty është një ndër çelësat e suksesit. Ajo që ne dëshirojmë, ajo që ne presim, qëllon të pasojë ose të mos harmonizohet me mendimet dhe zakonet tona morale.
Secili prej nesh është shumë më i paktë pa tjetrin. E ardhmja e martesës është në dorën tuaj. Mund të zgjidhni gëzimin po të dëshironi, ose të gjeni dëshpërimin ngado që të vështroni. Kazanzaqis thotë “Keni në dorë penelin dhe ngjyrat. Pikturoni parajsën dhe pastaj hyni në të”. Nëse mendoni se martesa juaj është një udhëtim i mërzitshëm me pak marrëzi mund ta ktheni atë në një udhëtim të mrekullueshëm.
Pothuajse të gjitha zgjidhjet e martesave dhe ndarjeve shkaktohen nga kotësia, nga shkak pa shkak, nga absurdi. E di se keni harruar të ftoni njëri tjetrin për të vallëzuar. Sa kohë keni pa bërë humor së bashku?
Dëshiroj t’ju këshilloj të gjeni gëzimin te gjërat e vogla, të sinqerta dhe të vërteta që keni së bashku. Lumturia e çiftit tuaj është aty, ndoshta asnjë hap larg jush, por ju jeni tepër të zënë pas asgjësë dhe po humbni nga pak nga vetja dhe martesa.
Në Indi, kur takojnë dikë ose ndahen prej dikujt, bashkojnë pëllëmbët e duarve dhe thonë: “Namaste”, që do të thotë: “Unë nderoj në ty vendin, mbi të cilin mbështetet gjithësia. Nëse ti rri në këtë vend me gjithë shpirt, dhe unë jam në këtë vend me gjithë shpirt, atëherë jemi një gjë e vetme”.
Eva Sinanaj