LAJME

ESNAF viziton panairin e ushqimit dhe teknologjisë ushqimore në Gaziantep

ESNAF viziton panairin e ushqimit dhe teknologjisë ushqimore në Gaziantep
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Nëntor 2026, 10:10

Delegacioni i Shoqatës së Biznesmenëve dhe Zejtarëve ESNAF nga Prizreni, i përbërë nga 35 përfaqësues të komunitetit të biznesit, ka vizituar Panairin MFF për Ushqim dhe Teknologji Ushqimore në Lindjen e Mesme, që po mbahet në Gaziantep të Turqisë, nga 5 deri më 7 nëntor 2026.

Në këtë vizitë delegacioni është shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fikrim Damka.

Panairi, i organizuar nga Nobel Expo, ka shërbyer si platformë për takime me kompani që operojnë në sektorin e ushqimit dhe teknologjisë ushqimore, me fokus në mundësitë e prodhimit, tregtisë dhe eksportit, si dhe në krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe Turqisë.

Në kuadër të vizitës në Gaziantep, delegacioni i ESNAF-it ka zhvilluar gjithashtu një takim dhe darkë pune nën mikpritjen e Odës së Industrisë së Gaziantepit.

Në këtë takim morën pjesë zëvendësguvernatori i Gaziantepit, Yakup Kılınçoğlu, dhe nënkryetari i Odës së Industrisë së Gaziantepit, Ali Can Koçak.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe institucional ndërmjet palëve. Me këtë rast, u shpreh edhe gatishmëria për të mirëpritur përfaqësuesit e Odës së Industrisë së Gaziantepit në Kosovë në një vizitë të ardhshme.

Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve ESNAF ka shprehur mirënjohjen e saj për Odën e Industrisë së Gaziantepit për mikpritjen dhe pritjen e përzemërt, duke vlerësuar këto aktivitete si mundësi të rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe krijimin e bashkëpunimeve të reja ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe Turqisë.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika