Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 72,600 eurosh, gjatë kontrollit të një kamioni në pikën kufitare të Vërmicës.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtarët doganorë kanë dyshuar për mospërputhje mes peshës së deklaruar dhe asaj faktike të ngarkesës.
Pas verifikimit, është konstatuar se kamioni kishte peshë më të madhe sesa ishte paraqitur në deklaratën doganore, çka ka çuar në kontroll të detajuar të automjetit dhe mallrave.
Gjatë kontrollit janë zbuluar 1,036 palë këpucë dhe 2,980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin deklaruar në dokumentacionin doganor. Dogana bëri të ditur se pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura.
Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara, pa përfshirë detyrimet e importit, është vlerësuar në rreth 72,600 euro.
Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedura administrative është në vazhdim. Për trajtimin e mëtejmë janë njoftuar edhe organet kompetente.
Dogana e Kosovës rikujton se deklarimi i saktë i mallrave është obligim ligjor dhe se mosdeklarimi apo deklarimi i pasaktë mund të sjellë masa ligjore, përfshirë pagesën e detyrimeve të importit.
Institucioni ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet për luftimin e kontrabandës, parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe mbrojtjen e konkurrencës së drejtë në treg.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.