LAJME

Alishani kritikon subvencionimin e transportit urban në Prizren: Komuna ka prioritet favorin për dosta e jo trafikun urban!

Alishani kritikon subvencionimin e transportit urban në Prizren: Komuna ka prioritet favorin për dosta e jo trafikun urban!
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Nëntor 2026, 21:48

Anëtarja e Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani, ka kritikuar vendimin e Komunës së Prizrenit për subvencionimin e transportit urban, duke ngritur pretendime për favorizim të një biznesi të caktuar.

Përmes një reagimi publik, Alishani ka deklaruar se Komuna ka subvencionuar një biznes i cili, sipas saj, kishte sjellë autobusët në Prizren para përfundimit të thirrjes publike për marrjen e linjave të transportit urban.

“Komuna e Prizrenit ka bërë subvencionimin e biznesit i cili, pa u kryer thirrja publike për marrjen e linjës së transportit urban, i ka sjellë autobusët në Prizren”, ka deklaruar Alishani.

Ajo ka ngritur dyshime se kriteret e thirrjes publike ishin përshtatur në mënyrë që t’i përshtateshin këtij biznesi, duke pretenduar se subvencionimi po bëhet në kurriz të qytetarëve.

“Komuna e Prizrenit ka prioritet favorin për dosta e jo trafikun urban”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.

Alishani ka kritikuar gjithashtu faktin që subvencionimi, sipas saj, është përqendruar në linjat urbane dhe nuk përfshin edhe transportin në fshatra. Në këtë kontekst, ajo ka ngritur pyetjen se si do të reagonin qytetarët nëse një vendim i tillë do të merrej nga një kryetar komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pavarësisht kritikave, kuvendarja u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë shërbimin e transportit urban, duke vlerësuar se subvencionimi do të paraqesë kosto për buxhetin e Komunës.

Në fund të reagimit, ajo ka pretenduar se bizneset e tjera që operojnë në linjat e transportit nuk kanë përfituar subvencione nga qeverisja aktuale komunale.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika