40 pako me peshë totale rreth 45 kg kokainë janë bllokuar këtë mbrëmje në Portin e Durrësit.
Droga ishte fshehur në një kontejner të ngarkuar me mish, i nisur nga Brazili.
Policia ka dhënë detaje për kapjen e një sasie kokaine në portin e Durrësit, mbrëmjen e sotme. Bëhet me dije se në një kontejnerë të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur transit nga Brazili janë gjetur 45 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Mishi ishte porositur nga një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.
“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës,
Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontejnerë të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur transit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.
/GazetaSinjali/