Prej vitesh flitet se si mjekët largohen nga Kosova, por askush nuk e thotë se si të ndalen ata.
Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) thonë vetëm se “ata ikin me vullnetin e tyre” – nuk tregojnë nëse kanë ndonjë plan a strategji për t’i joshur që të qëndrojnë.
Me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, në Odën e Mjekëve të Kosovës tregojnë se, gjatë vitit 2024, 109 mjekë e kanë tërhequr certifikatën për të kaluarën etike, e cila u shërben për punësim jashtë vendit.
“Largimi i kuadro
ve të reja shëndetësore e dëmton seriozisht sektorin e shëndetësisë në vend”, thonë në Odën e Mjekëve për Radion Evropa e Lirë.
Dhe, kjo është e dukshme. Pacientët presin me muaj, nëse jo vite, për disa shërbime, ndërsa shumë aparatura të reja as që shfrytëzohen, sepse nuk ka profesionistë.
Pse largohen mjekët?
I specializuar për gastroenterologji, ai thotë se nuk ka mundur t’i bëjë ballë “burokracisë” dhe “monopolit të hekurt” në klinikë.
Sipas tij, në QKUK ka kontroll të plotë mbi një pjesë të stafit, që “nuk i mirëpret gjeneratat e reja”, shkaku i konkurrencës.
“Shefi i klinikës, bashkë me ata të reparteve, nuk na kanë lejuar të punojmë. I kam kryer të gjitha obligimet, të gjitha ato trajnime brenda dhe jashtë vendit dhe nuk më kanë lejuar ta tregoj atë dijeni”, thotë dr. Shpendi.
Doktor Arbër Muriqi është larguar nga Kosova dy vjet më parë, por për një arsye tjetër: paga.
Në Kosovë, paga e mjekut specialist aktualisht është rreth 1.200 euro.
Paga mesatare në vend sillet në rreth 570 euro.
“Kam ardhur këtu… punoj, marr një pagë të dinjitetshme, bëjmë një jetë të mirë dhe i ndihmojmë familjet”, thotë anesteziologu Muriqi për Radion Evropa e Lirë i cili po specializon për neurologji.
Në spitalin gjerman ku punon, thotë se ka edhe infermierë e mjekë të tjerë nga Kosova.
Si mund të parandalohet ikja e mjekëve?
Hana Xhemajli, specialiste për hulumtim të politikave globale shëndetësore, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë strategji të qartë për sistemin shëndetësor dhe stafin mjekësor.
Sipas saj, ato duhet të krijojnë politika të tilla që e bëjnë stafin të ndihet i vlefshëm në Kosovë, duke pasur pagë dhe kushte të dinjitetshme pune.
Po ashtu, duhet të stimulohet zhvillimi profesional i tyre dhe të ofrohen mundësi për avancim.
Gjithashtu, mungesa e barnave gati se është problem i zakonshëm dhe i detyron pacientët t’i blejnë vetë ato.
Xhemajli thotë se Kosova, për më tepër, ka një popullsi në plakje dhe përmirësimi i kushteve duhet të bëhet urgjentisht.
“Brenda 20 vjetësh, ne do të kemi një popullsi shumë më të vjetër dhe ne nuk kemi asnjë zgjidhje se si ta mbajmë stafin këtu dhe si t’ua mundësojmë këtyre institucioneve që veç i kemi, të jenë më funksionale”, thotë ajo.
Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë ka vlerësuar në raportin e vitit 2023 se mbi 10.000 njerëz, tash e sa muaj apo vite, janë në lista të pritjes për procedura të ndryshme mjekësore – nga operacionet në zemër deri tek ato në sy.
Për këtë gjendje, Zyra e Auditimit ka fajësuar mungesën kritike të personelit mjekësor, veçanërisht të anesteziologëve.
QKUK-ja ka Klinikën e Anesteziologjisë me 48 anesteziologë – shumë më pak se 100, sa do t’i duheshin, sipas udhëheqësve të saj.
Në vitin 2025, sipas tij, mbi 15 mjekë pritet ta përfundojnë specializimin e tyre në anesteziologji, por është e pasigurt se sa prej tyre do të punojnë brenda sistemit shëndetësor shtetëror, pasi shumë e kanë financuar vetë arsimimin e tyre – çfarë do të thotë se nuk janë të detyruar të punojnë aty.
Ndaj, pa një qasje të qartë dhe të qëndrueshme për adresimin e këtyre sfidave, Kosova duket se rrezikon të humbasë një brez të tërë profesionistësh shëndetësorë, duke i përkeqësuar edhe më tej kushtet në sektorin e saj të shëndetësisë/RadioEvropaeLirë/.