Instituti EdGuard ka publikuar të hënën raportin “Performanca e nxënësve kosovarë në testin PISA”, ku një pjesë nxënësve të përfshirë në këtë matje kanë thënë se pyetjet e testit PISA ishin konfuze.
Drejtuesi i kësaj organizate joqeveritare, Rinor Qehaja, ka bërë të ditur se nga 280 nxënës respondentë, 66 për qind e tyre kanë deklaruar se pyetjet ishin konfuze, e 34 për qind kanë thënë se pyetjet ishin të qarta.
Ndërsa, rreth 50 për qind e tyre kanë deklaruar se pyetjet e PISA-s ishin të vështira mesatarisht, e mbi 21 për qind se ishin shumë të vështira.
Në raport është bërë e ditur se një pjesë e nxënësve s’e kanë marrë seriozisht këtë test pasi s’ka ndikuar direkt në notim.
“A ishin të informuar nxënësit në testin PISA.. Diku rreth 89% kanë qenë të informuar. Kanë qenë të informuar për pjesëmarrje, por jo informim të detajuar për përmbajtjen. Sa të vështira ishin pyetjet për test: Diku rreth 50% – mesatarisht e 21% shumë. A ishin pyetjet konfuze. Rreth 66% kanë thënë që pyetjet ishin konfuze dhe 34% kanë thënë jo”, u tha në raportin e EdGuardit.
76 për qind e respondentëve kanë thënë se nuk kanë tentuar të komunikojnë mes vete gjatë testit të PISA-s, e 15 për qind kanë thënë se kanë komunikuar.
Ndërsa për pyetjet e lëndës së matematikës, nxënësit janë përgjigjur se ngjanin me ato që i kanë mësuar në shkollë.