Përmes një komunikate për media OJQ “Ec ma ndryshe” ka reaguar rreth punimeve që janë bërë në hapjen e kanalit për shtrirjen nëntokësore të kabllove në Qendrën Historike të Prizrenit.
Postimi i plotë:
Realizimi i punimeve për hapjen e kanalit për shtrirjen nëntokësore të kabllove në Qendrën Historike të Prizrenit është shoqëruar me vërejtje nga autoritetet e trashëgimisë kulturore, komuniteti i biznesit si dhe qytetarët.
Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit ka njoftuar se ka pajisur KEDS-in me leje ndërtimore për këtë projekt, në vitin 2020, pas sigurimit të pëlqimit nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore-Prizren.
QRTK-ja ka konfirmuar lëshimin e këtij pëlqimi, me disa kushte, ndër të cilat është edhe mbikëqyrja e punimeve nga punonjësit profesional të kësaj qendre. Gjatë mbikëqyrjes së punimeve, profesionistët e kësaj qendre, kanë konstatuar mos respektimin e aktit të lëshuar. Si rezultat, me datë 1 qershor 2021, QRTK përmes një shkrese ka njoftuar zyrtarët e KEDS-it, të Komunës së Prizrenit dhe të Inspektoratit për trashëgimi kulturore për mos respektimin e pëlqimit.
“Para fillimit të punimeve pala duhej të njoftonte QRTK – Prizren të cilën nuk e ka bërë; Largimi i kubëzave duhej të bëhej në mënyrë manuale (me dorë) derisa gjatë punimeve u pa që ato janë larguar me makineri (ekskavator) (dëshmi foto dhe video nga vend punishtja); Kubëzat e larguara duhej të deponoheshin në një vend të sigurt (p.sh. depo) derisa ato janë grumbulluar pranë kanalit të hapur dhe nuk janë siguruar nga dëmtimi dhe vjedhja; Pas përfundimit të punimeve duhej të vendoseshin kubëzat në vendin e vet në mënyrë profesionale gjë që nuk është bërë dhe nuk vazhdon të bëhet;
Kubëzat nuk janë vendosur si duhet, duke mos ndjekur metodën profesionale të vendosjes së tyre që duhej të ishin në formë harkore. Terreni nuk është nivelizuar si duhet, fugat ndërmjet kubëzave janë shumë të mëdha, nuk janë përzgjedhur madhësitë e kubëzave gjatë formimit të harkut pasi ato nuk janë me madhësi të njëjta si dhe gjatë vendosjes së tyre për të përshtatur renditjen kubëzat janë thyer. Për më tepër gjatë punimeve operatori ekonomik (punëkryesi) ka përdorur dhe ende po vazhdon ta përdor sheshin e Shatërvanit si vend parking për makineritë edhe gjatë ditëve kur nuk është punuar fare”, thuhet në shkresën e QRTK-së, përmes të cilës ishte kërkuar që në afat prej 7 ditësh të ndërmerren masa dhe veprime për zbatimin e projektit të aprovuar si dhe të njoftohet QRTK-ja për veprimet e mëtutjeshme.
Edhe Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit ka njoftuar se investitorit i është tërhequr vërejtja rreth mënyrës së realizimit të punimeve, dhe se i është dhënë afat për mënjanimin e lëshimeve.
Në anën tjetër edhe komuniteti i biznesit është ankuar se nuk janë informuar për detajet e projektit, si dhe kohëzgjatjen e tij, derisa qytetarë të ndryshëm kanë postuar fotografi dhe video në rrjetet sociale si dëshmi për punimet jo adekuate në kalldrëmin e Shatërvanit.
EC Ma Ndryshe përkujton se sipas legjislacionit në fuqi, Qendra e mbrojtur historike e Prizrenit, si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore, në mbrojtje të përhershme të Republikës së Kosovës, me ç’rast dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkufizojnë se “personi fizik dhe juridik, i cili bën ndërtimin, rrënimin, ndërhyrjet në infrastrukturë apo çfarëdo aktivitet tjetër, duhet të ndërmarrë paraprakisht të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur objektin e trashëgimisë kulturore dhe fetare nga shkaktimi i çfarëdo dëmi të mundshëm, gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve”.
Prandaj duke konsideruar se kalldrëmi përbën identitetin historik të rrugëve dhe rrugicave të Prizrenit, apelon që çdo intervenim në të duhet të bëhet me kujdesin maksimal, ashtu që edhe kjo pjesë e tërësisë së trashëgimisë kulturore të ruhet në mënyrën e duhur, thuhet në njoftim/