OJQ “EC Ma Ndryshe” përmes një komunikate për media, ka shprehur shqetësimin lidhur me intervenimin e fundit artistik të realizuar në Kejin pranë Urës së Arastës në Prizren, përmes të cilit sipas tyre, është ndërhyrë mbi muralin ekzistues të realizuar në vitin 2024 me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me artistë lokalë, institucione dhe organizata të shoqërisë civile.
Sipas OJQ-së, murali ekzistues në këtë hapësirë publike ishte rezultat i një procesi të gjerë konsultativ dhe profesional. Përzgjedhja e konceptit artistik thuhet se ishte bërë me synimin që në këtë pjesë të qytetit të paraqitej një interpretim bashkëkohor i historisë, trashëgimisë kulturore dhe karakterit multikulturor të Prizrenit.
Si organizatë që ka kontribuar në procesin e konsultimit publik për realizimin e kësaj vepre, EC Ma Ndryshe konsideron se çdo ndërhyrje e mëvonshme mbi muralin ekzistues duhej të trajtohej me kujdes të veçantë, duke respektuar jo vetëm procedurat institucionale, por edhe integritetin e konceptit artistik dhe punën krijuese të autorëve të tij.
EC Ma Ndryshe vlerëson rëndësinë e artit publik si mjet për ngritjen e vetëdijes qytetare dhe promovimin e kauzave shoqërore. Gjithashtu, thonë se nuk e vë në pikëpyetje të drejtën e artistëve dhe aktivistëve për të përdorur hapësirën publike për të adresuar çështje me interes publik. Megjithatë, siç thonë ata, shqetësimi në këtë rast nuk lidhet me përmbajtjen e mesazhit të intervenimit të ri, por me mënyrën se si ai është realizuar, pra përmes ndërhyrjes mbi një vepër ekzistuese artistike.
“Respektimi i një kauze të drejtë nuk duhet të bëhet duke cenuar një vepër tjetër artistike dhe as duke shpërfillur punën krijuese të autorëve që kanë kontribuar më herët në atë hapësirë. Hapësira publike duhet të mbetet vend i dialogut dhe i bashkëjetesës së ideve, jo një vend ku një shprehje artistike zëvendëson apo mbivendoset mbi një tjetër pa një proces të qartë konsultativ, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërhyrje brenda Qendrës Historike të Prizrenit.” – thuhet në reagim.
EC Ma Ndryshe thekson se është njoftuar nga QRTK Prizren se për muralin e ri është lëshuar pëlqim nga ky institucion. Megjithatë, në kushtet e përcaktuara në këtë pëlqim thuhet se “sa i përket lokacionit për intervenim, i mbetet të vendoset nga parashtruesi i kërkesës, respektivisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, Komuna e Prizrenit”. Kjo sipas tyre, nënkupton se vendimmarrja për përzgjedhjen e sipërfaqes konkrete ku do të realizohej ndërhyrja artistike nuk është përcaktuar nga institucioni i trashëgimisë kulturore, duke ngritur nevojën për sqarime shtesë lidhur me arsyetimin e përzgjedhjes së muralit ekzistues si hapësirë për intervenim.
EC Ma Ndryshe konsideron se muralet dhe ndërhyrjet artistike në hapësirën publike, sipas praktikave bashkëkohore, mund të kenë karakter të përkohshëm. Megjithatë, thonë se përkohshmëria e një vepre nuk e zbeh nevojën për respektimin e autorësisë, integritetit artistik dhe procedurave profesionale sa kohë që ajo vepër ekziston në hapësirën publike.
“Në rastin konkret, bëhet fjalë për një vepër që ishte realizuar në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore dhe që kishte kaluar procese konsultimi e shqyrtimi institucional. Për këtë arsye, konsiderojmë se çdo transformim apo modifikim i saj duhej të realizohej në mënyrë transparente, me respekt ndaj autorëve dhe me sqarime të qarta për publikun. Prandaj, EC Ma Ndryshe u bën thirrje institucioneve kompetente që të kontribuojnë në krijimin e standardeve më të qarta për trajtimin e veprave artistike në hapësirat publike, veçanërisht brenda Zonës Historike të Prizrenit. Po ashtu, konsiderojmë se rastet e ngjashme duhet të trajtohen përmes dialogut ndërmjet institucioneve, artistëve dhe komunitetit, në mënyrë që promovimi i ideve dhe kauzave të reja të mos bëhet në dëm të veprave ekzistuese dhe të integritetit të tyre artistik.” – thuhet në reagim.