Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Sheholli është sjellë në sallën e gjyqit me duar të lidhura, ndërsa gjatë hyrjes është parë duke buzëqeshur.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendime për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosjen e rastit përmenden materiale dhe komunikime që prokuroria i ka konsideruar si prova në kuadër të hetimeve.
Sipas aktakuzës,Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.
Ai akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sheholli akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro.