Blerjet online janë bërë trend edhe në vendin tonë sidomos pas pandemisë, por konsumatorët shpesh herë po mashtrohen nga keqbërës të cilët i’a marrin paratë e nuk i’a dërgojnë mallin e u dërgojnë gjësende falso.
Derisa numri i këtyre faqeve rritet me shpejtësi dita-ditës e disa janë rrejshme, në anën tjetër blerjet online janë bërë të frikshme për kosumatorët, pasi disa shitës kanë mungesë të identifikimit, duke cënuar të drejtat e konsumatorëve.
Në shumë raste mungojnë adresat e qarta të shitësve dhe nuk lëshohen kupon fiskal, duke vështirësuar edhe hetimet e policisë e inspektorëve.
Për eksperienca jo të mira me blerjet online, tregojnë jo pak qytetarë të cilët kanë paguar e nuk kanë marr kurrë mallin, ose kanë paguar diçka tjetër u ka ardhur tjetër mall fals.
Nga 70 raste të mashtrimeve e abuzimeve gjatë blerjeve online janë denoncuar në Polici dhe në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Tregtisë, Ndërmarrësisë e Industrisë e të cilat po hetohen.
Nga Policia tregojnë për Gazetën Sinjali se për mashtrimet në ueb-faqe dhe rrjete sociale, keqbërësit krijojnë faqe të rrejshme sidomos të atyre për blerje online dhe atyre bankare e-banking me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.
Nga 1 janar deri me 30 qershor të këtij viti policia ka trajtuar rreth 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare.
“Qytetarët ose përdoruesit e internetit duke menduar se janë kyçur në një ueb-faqe të vërtetë për të blerë online, ofrojnë të dhënat personale bankare si dhe të dhëna tjera, ku keqbërësit pas sigurimit të këtyre të dhënave bankare dhe personale i shesin në tregjet e zeza si dhe i shfrytëzojnë që të bëjnë pagesa apo blerje të ndryshme”, thonë nga Policia.
Sipas tyre gjithashtu, vërehet se në këtë kohë kur njerëzit kanë nevojë për solidaritet dhe ndihmë, keqbërësit kibernetikë mundohen të përfitojnë duke mashtruar përmes platformave të ndryshme të donacionit.
Nga Policia e Kosovës tregojnë për Gazetën Sinjali, se referuar statistikave në autoritetet kompetente, shihet se në vendin tonë përdorimi i internetit është mbi 95% në raport me numrin e popullsisë.
Policia theksojnë se edhe depërtimi i qasjes fikse dhe mobile të internetit është në rritje krahasuar me periudhat raportuese të mëhershme, me theks të veçantë është qasja mobile ku rritja është shumë e lartë dhe si përfundim mund të nxjerrim se qytetarët Kosovës e të gjitha shtresave janë përdorues mjaft aktivë të internetit.
Po ashtu nga Policia thonë se ofrimi i shërbimeve të ndryshme online është në rritje ku institucionet publike dhe private për çdo ditë e më shumë orientojnë qasjen apo komunikimin me qytetarin përmes internetit.
Shërbimet që ofrohen kanë të bëjnë me nevoja të përditshme të qytetarit siç janë komunikimet me e-mail, shërbimet financiare, shit-blerja e gjësendeve, aplikimet e ndryshme (punë, rezervime) etj.
“Si rrjedhojë, hapësira kibernetike vazhdon të jetë ambient i përshtatshëm për keqbërësit për kryerjen e veprave të ndryshme penale duke përdorur mjete dhe programe kompjuterike të sofistikuara. Qëllimi apo motivi kryesor i keqbërësve mbetet përfitimi material, por ka edhe motive tjera thjesht për të treguar se mund të ndërhyjnë në një sistem kompjuterik, hakmarrje etj. Vërehet se qytetarët që bien viktima të keqbërësve në internet nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rreziqet gjatë përdorimit të internetit”, thonë nga Policia për Gazetën Sinjali.
Policia theksojnë se trajtojnë të gjitha rastet e denoncuara nga qytetarët dhe varësisht prej natyrës së tyre angazhohen edhe njësitë përkatëse. Kjo nënkupton se trajtohen edhe rastet që mundësohen të kryhen përmes internetit mashtrimet kurdo që denoncohen.
Në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, tregojnë se gjatë këtij viti ishin 70 ankesa për mashtrim të konsumatorit , ndërsa 3 ankesa tjera ishin për produkt të dyshimtë
Nga 73 ankesat e dërguara DMK-ja ka zgjidhur 69 prej të cilave 47 janë vlerësuar të bazuara, 21 të pabazuara, 1 e refuzuar dhe 4 janë në proces.