Sot janë bërë dy vjet që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian. Ani pse unioni evropian e ka pranuar aplikacionin e Kosovës që nga 15 dhjetori i vitit 2022, të njëjtin ende nuk e ka shqyrtuar.
Në Qeverinë e Kosovës presin lëvizje pozitive në marrjen e statusit vend-kandidat nga udhëheqja e re e Bashkimit Evropian dhe presidenca e ardhshme e Polonisë që nga janari i 2025-tës. Mirëpo, në shtetin e Francës, thonë se disa vende të BE-së, nuk janë të bindur se tani është momenti i përshtatshëm për t’i dhënë dritën e gjelbër Kosovës.
Sipas vendit kyç të BE-së, Kosova duhet të plotësojë edhe disa kushte politike, siç është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë.
Skeptik se Kosovës do t’i jepet statusi vend-kandidat për anëtarësim në BE janë edhe njohësit e proceseve euro-integruese.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë sipas tij, do ta dëshmojnë me të pranuar pyetësorin e plotësuar atë sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Ai bën të ditur se zëvendëskryeministri Bislimi veçse ka nisur konsultimet me presidencën polake, e cila do të merr kryesimin e Këshillit të BE-së, për gjashtë muajt e parë të vitit 2025.
“Kosova është gati për këtë, dhe qëndron me vullnet e gatishmëri të lartë të dëshmojë nivelin institucional të përgatitjes kurdo që Bashkimi Evropian është i gatshëm t’ia hapë këtë rrugë Republikës së Kosovës. Këtë, e dëshmuam edhe përmes Planit të Rritjes dhe punës masive të zhvilluar në këtë proces, ku dhe u përgëzuam nga Bashkimi Evropian për nivelin e përgatitjes. Ne qëndrojmë në pritje të pranimit të pyetësorit dhe vlerësimit në bazë të meritokracisë për s në proces.
Kosova e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë do ta dëshmojmë me të pranuar pyetësorin e plotësuar atë sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Mbetemi të përkushtuar maksimalisht në argumentimin e rëndësisë së këtij hapi dhe nivelit të përgatitjes së Kosovës, andaj edhe presim hapa konkretë me ardhjen e konstelacionit të ri në përbërjen e institucioneve në Bashkimin Evropian, dhe presidencën e ardhshme të Polonisë nga janari. Konsultimet me Presidencën e Polonisë, kanë nisur që më herët e veçanërisht në vizitën e fundit të zëvendëskryeministrit Bislimi në Varshavë”, thotë ai në një përgjigje për KosovaPress.
Mirëpo, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet më shumë në dialogun me Serbinë që t’i bind vendet anëtarë të BE-së, se tani është momenti i duhur që të shqyrtohet aplikacioni i Kosovës.
Sipas tij, një nga kushtet më të rëndësishme politike është që Kosova të zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur me Serbinë në vitin 2023.
“Unë mendoj se disa anëtarë të BE-së nuk janë plotësisht të bindur se për momentin është i përshtatshëm. Këtu mendoj se i kthehemi vetë çështjes së zbatimit të [aneksit] Ohrit apo marrëveshjes së 27 shkurtit për të bindur të gjitha vendet anëtare se është momenti i duhur. Ne mbështesim që Kosova përfundimisht të bëhet anëtare e BE-së, sikurse edhe vendet e tjera të rajonit. Ne e shohim qartë rrugën drejt integrimeve evropiane, dëshirojmë që të plotësohen disa kushte, një nga kushtet më të rëndësishme është ky kusht politik që Kosova të jetë plotësisht e angazhuar në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë të dialogut. Për çështje të tjera si gatishmëria për reforma të brendshme, gatishmëria e ekonomisë, gatishmëria e institucioneve, ne shohim një progres të bërë nga qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, analisti politik, Albinot Maloku, thotë se zvarritja e shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE po bëhet për shkak se kjo e fundit s’ka vizion të qartë për rrugën evropiane të Kosovës.
“Kosova nuk është fajtore në këtë proces, por edhe BE-ja që s’po ka vizion të konkretizuar sesi t’i qaset vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovës, të cilën e ka vendosur nën sanksione si pasojë e qeverisë. Sa është mundësia që Kosova të fitojë në këtë proces, konsideroj se vullneti është i Kosovës por faji i bie BE-së që s’ka pasur një vizion të qartë”, deklaron ai.
Kosova ka dorëzuar aplikimin për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, kur presidenca e Këshillit të BE-së udhëhiqej nga Çekia.
Aktualisht presidencën e unionit evropian e ka Hungaria. Kurse, nga 1 janari i 2025 do ta marrë Polonia./kp/