Dy degë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ajo në Pejë dhe ajo në Lipjan, kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të partisë, Lumir Abdixhiku.
Në njoftime të ndara, degët arsyetojnë kërkesën e tyre me rezultatin zgjedhor.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.
Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja” thuhet në njoftimin e LDK-së në Pejë.
Nga ana tjetër, ajo në Lipjan deklaron se rezultati zgjedhor duhet të shërbejë soi thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët, reformim dhe riorganizim të partisë.
“Vetëm përmes reflektimit të sinqertë, debatit të hapur dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet mund të rikthehen besimi dhe energjia.
Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre” deklaron LDK-ja në Lipjan.
Kujtojmë se, si në zgjedhjet e dhjetorit, edhe në këto të fundit, LDK-ja u rendit e treta në rezultat zgjedhor, pas LVV-së dhe PDK-së.