Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, Osman Hajdari, së bashku me drejtorin mjekësor, Dr. Shefki Xharra, drejtoreshën e infermierisë, Burbuqe Gashi, dhe drejtorin e administratës, Lumrim Murtezaj, pritën të hënën në takim drejtorin e Policisë Rajonale të Prizrenit, kolonel Faton Alija. Ai ishte i shoqëruar nga komandanti i Stacionit Policor të Prizrenit, kapiten Nexhdet Mrasori, komandanti i Trafikut Rajonal, kapiten Arsim Bytyqi, si dhe komandanti i Stacionit Policor të Dragashit dhe kryetar i Sindikatës, kapiten Shaqir Uka.
Sipas njoftimit, kolonel Faton Alija përgëzoi drejtorin e spitalit për marrjen e detyrës dhe shprehu falënderimet për bashkëpunimin ndërinstitucional, duke theksuar gatishmërinë për të thelluar më tej këtë bashkëpunim.
“Takimi i sotëm ka dy qëllime. Së pari, për të uruar z. Osman Hajdarin për marrjen e detyrës së drejtorit ekzekutiv, duke i dëshiruar menaxhim të suksesshëm dhe rezultate pozitive në udhëheqjen e spitalit. Së dyti, për të shprehur falënderimin për bashkëpunimin që kemi me spitalin, veçanërisht për trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pjesëtarët e policisë, kontrollet sistematike dhe procesin e rekrutimit të rekrutëve të rinj. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimet tona për ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe institucionet, përfshirë edhe spitalin e Prizrenit”, theksoi kolonel Alija.





