Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi i arrestuar gjatë ditës për dyshimet për korrupsion dyshohet së është përfshirë në një skemë mashtrimi.
Siç i kanë thënë KOHËS burimet brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Krasniqi ka pranuar një veturë me vlerë rreth 20 mijë euro, e prodhuar në vitin 2019, nga një person me të kaluar kriminale në mënyrë që të ia mbyll një lëndë në prokurori që është në procedurë e sipër.
Dyshimet sipas burimeve të afërta me hetimin janë që me pas kjo veturë e pranuar nga Krasniqi ka kaluar në pronësi te asistentja e tij Marigona Berisha e cila poashtu është e ndaluar për 48 orë. Megjithatë hetimet ndaj këtij personi nuk janë mbyllur. KOHA e di identitetin e këtij qytetari por nuk po e publikon.
Ai gjendet në paraburgim, ndërsa një prokurore javën e kaluar sipas burimeve e ka vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit dhe i ka marrë deklaratë për mashtrimin që sipas tij ja kanë bërë zyrtarët e Këshillit Prokurorial.
“Prokurorja ditën e enjte i ka marrë deklaratë të paraburgosurit ndërsa ditën e premte e ka njoftuar Këshillin Prokurorial në mbledhje të mbyllur se Drejtori i Sekretariatit është nën hetime”, ka treguar ky burim.
“KOHA” gjatë gjithë ditës ka provuar ta kontaktojë kryesuesin e KPK-së, Jetish Maloku, por ai ka qenë i pa qasshëm. Përmes një komunikate për media gjatë ditës, Prokuroria, kanë konfirmuar arrestimin e dy zyrtarëve.
“Të lartcekurit janë shoqëruar në Polici për tu intervistuar lidhur për veprimet që dyshohet se ata i kanë kryer. Me aktvendim të prokurorit të shtetit të lartcekurit janë ndaluar për 48 orë. Po ashtu, ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës, do të ndërmerr të gjitha veprimet e duhura në përputhje me ligjin dhe mandatin e vet.”, thuhet në këtë komunikatë.