Prej Luftës së Dytë Botërore, asnjë fenomen nuk ka dominuar lajmet botërore sikurse pandemia e koronavirusit më 2020. Në Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet presidenciale dhe një valë e protestave për padrejtësi mes racave kanë fituar vëmendje të madhe.
Mirëpo zhvillimet tjera dramatike në botë, sikur kanë mbetur në hije.
Në mesin e tyre: shtypja e demokracisë në Hong Kong nga ana e Kinës; një shpërthim apokaliptik në Bejrut dhe rrëzimi i helikopterit, që ka rezultuar me vdekjen e ikonës së basketbollit, Kobe Bryant dhe vajzës së tij.
Disa zhvillime të mëdha botërore që kanë ndodhur gjatë këtij viti tani duken të largëta, sikurse gjykimi për shkarkim nga zyra i presidentit amerikan, Donald Trump dhe njoftimi i Princit Harry dhe Meghan Markle në muajin janar se heqin dorë nga pozitat që kanë në familjen mbretërore britanike.
Vetëm disa javë më vonë ka ndodhur largimi formal i Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e botës ka luftuar COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, konflikti i armatosur ka shpërthyer në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe një tjetër në rajonin Tigray të Etiopisë.
Lufta pafund e Afganistanit ka vazhduar, pavarësisht tentimeve për të arritur paqe nga negociatat. Përgjatë vitit, ka pasur edhe protesta masive që kanë sfiduar udhëheqësit në Bjellorusi dhe Tajlandë.
Për shkak të akuzave për sulme dhe abuzime seksuale, producenti i filmave në Hollywood, Harvey Weinstein, është dënuar me 23 vjet burgim, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Zhvillime tjera të mëdha më 2020:
Irani
Ky vit po përfundon ashtu sikurse ka nisur sa u përket tensioneve në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara kanë vrarë Gjeneralin e forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimani përmes një droni në Bagdad. Irani është përgjigjur me sulme me raketa, që kanë lënë të plagosur dhjetëra trupa amerikane në Irak.
Në dhjetor, në një sulm misterioz afër Teheranit, ka mbetur i vdekur shkencëtari bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh, të cilin SHBA-ja dhe të tjerët e kanë identifikuar si organizator të përpjekjeve të Iranit për të prodhuar armë bërthamore dy dekada më parë. Irani ka fajësuar Izraelin për këtë sulm.
Imigrimi
Përgjatë vitit 2020, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka synuar të krijojë një mur afër kufirit SHBA-Meksikë, pavarësisht pse politikat për imigrim, kanë zemëruar mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
Shënjestra të këtyre politikave kanë qenë fëmijë të pashoqëruar, që kanë shkuar si refugjatë në SHBA, ndërkohë që qindra persona janë ndaluar nëpër hotele para se të dëboheshin. Administrata Trump ka tentuar që të pezullojë edhe programin që mbron disa të rinj imigrantë nga dëbimi. Mirëpo një gjyqtar federal ka vendosur që aplikimet e reja në këtë program duhet të pranohen.
Hong Kong
Kina ka miratuar Ligin për siguri kombëtare në Hong Kong. Shtypja e kundërshtarëve nga ana e Kinës, ka përmbysur premtimin e kësaj të fundit që t’i lejojë këtij qyteti që të zbatojë të drejtat që ka për 50 vjet, pas dorëzimit të Hong Kongut te Kina nga autoritetet britanike më 1997.
Arrestimet e figurave kryesore opozitare dhe dëbimi i ligjvënësve lokalë – çka ka shtyrë gjithë kampin opozitar të japë dorëheqje – ka rezultuar me një numër shtetesh që të kufizojnë bashkëpunim ligjor me Hong Kongun. Si pasojë e këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalesa në udhëtim dhe sanksione financiare.
Opioidet
Kompania farmaceutike, Purdue Pharma, prodhuese e ilaçit, OxyContin, është deklaruar fajtore për tri akuza penale, duke marrë kështu përgjegjësi për një pjesë të epidemisë me opiode, që kanë kontribuuar në vdekjen e më shumë se 470,000 amerikanëve në dy dekada. Purdue ka pranuar pengimin e përpjekjeve për të luftuar krizën e varësisë. Ndonëse është nënshkruar një marrëveshje për kompensim të vlerë të 8.3 miliardë dollarëve si gjobë, mbrojtësit e viktimave kanë thënë se janë të shqetësuar që pronarët e kompanisë Perdue dhe familja Sackler mund të dalin nga rasti me pasuri gati të paprekur.
Vdekjet e personaliteteve të njohura
Tifozët e sportit në gjithë botën, më 2020 kanë pranuar lajmin për vdekjet e dy yjeve – basketbollistit Kobe Bryant, 41-vjeçar dhe futbollistit Diego Maradona, 60-vjeçar.
Në mesin e të vdekurve me Bryant, pas rrëzimit të helikopterit ishte edhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, që premtonte se mund të bëhej atlete. Në mesin e personaliteteve tjera që kanë vdekur këtë vit, janë edhe: lideri për mbrojtjen e të drejtave civile në SHBA, John Lewis, kitaristi, Eddie Van Halen, dhe aktorët, Chadwick Boseman dhe Sean Connery.
Shumë admirues të gjykatëses liberale të Gjykatës Supreme në SHBA, Ruth Bader Ginsburg, jo vetëm që janë mërzitur për vdekjen e saj, por edhe kanë qenë të pakënaqur nga zëvendësimi që i është bërë në gjykatë përmes konservatores, Amy Coney Barrett.
Kryeqyteti i Libanit është shkatërruar në muajin gusht nga një prej shpërthimeve më të mëdha jobërthamore në histori.Një zjarr ka përfshirë rezerva prej gati 3,000 tonëve të nitratit të amonit, që janë lënë në pakujdesi afër portit të qytetit. Si pasojë e shpërthimit, shumë shtëpi janë hedhur në ajër. Më shumë se 200 persona kanë vdekur dhe mijëra janë plagosur, situatë që ka nxitur protesta masive dhe dëme ekonomike.
Franca-myslimanët
Prerja e kokës së një mësuesi nga një çeçen 18-vjeçar jashtë Parisit në muajin tetor, është pasur nga vrasja e tre personave në Nicë nga një migrant tunizian. Për pasojë, Franca ka rritur alarmin e sigurisë në nivelin më të lartë.
Sulmet kanë ardhur teksa po zhvillohej një gjykim për masakrën e vitit 2015 në revistën satirike, Charlie Hebdo, e cila ka publikuar karikatura të Profetit Muhamed. Mësuesit i është prerë koka për shfaqje të karikaturave në klasë, derisa është diskutuar për liri të shprehjes – qasje e mbrojtur nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Karikaturat dhe qëndrimi i Macronit, kanë nxitur kombet myslimane që të bojkotojnë produktet franceze.
Uraganet
Viti 2020 është përcjellë me sezonë historike të uraganeve, meqë meteorologët është dashur të përdorin Alfabetin grek, pasi janë përdorur të gjithë emrat e parashikuar. Në Luiziana janë regjistruar tri uragane dhe dy stuhi tropikale.
Më i rëndi ka qenë Uragani Luara që ka zbarkuar në muajin gusht. Në muajin nëntor, disa shtete të Amerikës Qendrore janë goditur nga dy uragane të kategorisë 4. Në Tenesi, një shpërthim i tornadove në mars, ka lënë të vdekur 25 persona.
Diplomacia me Izraelin
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka shënuar arritje të madhe në muajin shtator, duke nënshkruar marrëveshje historike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin në Shtëpinë e Bardhë. Këto njëherësh kanë qenë marrëveshjet e para për normalizim lidhjesh me shtetet arabe në më shumë se 25 vjet.
Më vonë, Sudani dhe Maroku janë zotuar për lidhje më të afërta me Izraelin. Ky hap i mundëson Netanyahut që të ofrojë para elektoratit arritjet e mirëseardhura, ndërkohë që kritikohet për menaxhim të pandemisë së koronavirusit dhe për gjykimin e tij për korrupsion.
Zjarret
Për mijëra zjarre është raportuar në Shtetet e Bashkuara më 2020, të cilat kanë marrë jetën e dhjetëra personave, kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe kanë ndryshuar ngjyrën e qiellit në portokalli.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike janë përgjegjëse për temperaturat ekstreme të vërshimeve, zjarreve, stuhive dhe thatësisë – duke përfshirë zjarret që janë zgjeruar për disa muaj në Australi.