Deputetë, policë, gjyqtarë, prokurorë e staf administrativ serb u larguan nga institucionet e Kosovës tre javë më parë.
Deputetët serbë që u dorëhoqën u zëvendësuan me deputetë të rinj, nga Lista Serbe.
Por serbët që u tërhoqën nga Policia, Gjykatat e Prokuroritë për shkak të vendimit për targa, ende nuk janë kthyer në këto institucione.
Lidhur me kthimin e tyre në institucione, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë për Gazeta Blic se emërimi dhe shkarkimi i gjykatësve dhe prokurorëve është i rregulluar me ligj dhe akte të brendshme të KGJK dhe KPK dhe dorëheqja e tyre nuk ka efekt derisa nuk aprovohet nga ana e tyre.
“Procedura e emërimit dhe shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë, është e rregulluar me ligj dhe me akte të brendshme të KGJK dhe KPK, respektivisht. Dorëheqja si akt i gjykatësve dhe prokurorëve nuk ka efekt dhe nuk prodhon pasoja juridike deri në momentin kur dorëheqja aprovohet nga ana e KGJK për gjykatës dhe KPK për prokurorë, dhe vetëm pasi këto dorëheqje të miratuara nga këto dy mekanizma finalizohen me dekret nga ana e Presidentit”, thotë ai.
Sipas Miftaraj, ata konsiderohen se janë ende pjesë e sistemit gjyqësor, derisa dorëheqjet e tyre nuk janë trajtuar nga KGJK dhe KPK, dhe këta të fundit kanë të drejtë t’i refuzojnë ato, por që ata po ashtu mund të nisin masa disiplinore ndaj anëtarit të KGJK dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
“Me vetë faktin se KGJK dhe KPK, nuk i ka trajtuar dorëheqjet e tyre, gjykatësit dhe prokurorët e dorëhequr ende konsiderohen se janë pjesë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. KGJK dhe KPK kanë të drejtën të refuzojnë aktet e dorëheqjeve të tyre, dhe të njëjtit të vazhdojnë punën në gjyqësorin e Kosovës, por që kjo nuk i pengon mekanizmat e sistemit gjyqësor dhe prokurorial për të iniciuar procedura disiplinore ndaj tyre për shkelje disiplinore. Ku padyshim se KGJK do ta ketë të vështirë të mos marrë masa ndaj anëtarit të KGJK dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të cilët kanë marrë pjesë në tubimin politik të organizuar në Mitrovicë dhe kanë mbajtur fjalime politike. Një veprim i tillë hyn në kuadër të shkeljeve të rënda disiplinore, ku si masë disiplinore mund të hyjë edhe shkarkimi i të njëjtëve”, deklaron Ehat Miftaraj për Gazeta Blic.
Ndërsa, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në KDI, thotë për Gazeta Blic se derisa gjyqtarët kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme, mënyra e vetme e rikthimit të tyre në Gjykata është përmes konkursit të hapur nga KGJK.
“Siç dihet zyrtarët serbë janë larguar nga qeveria, Kuvendi dhe institucionet si gjyqësori e policia e Kosovës. Meqenëse gjyqtarët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në KGJK dhe kanë argumentuar se ato janë të parevokueshme, vlerësoj se mënyra e vetme që këta persona të kthehen në zyre është shpallja e konkurseve nga ana e KGJK-së për plotësimin e atyre vendeve të zbrazëta. Sipas ligjit për gjykatat, mandati i një gjyqtari përfundon edhe në rast kur ai jep dorëheqje. Prandaj, në rast se një person jep dorëheqje nga pozita e gjyqtarit para moshës së pensionimit, atëherë mënyrë e vetme që ata të kthehen në institucione janë nëpërmjet aplikimit për atë pozitë, pasi KGJK të shpallë konkurs për plotësimin e atyre vendeve”, thekson ai.
Bugaqku potencon se njësoj vlen edhe për policët e larguar.
“Edhe sa i përket policëve, po ashtu vlerësoj që procedurat janë të njëjta sikurse për gjyqtarët e larguar. Duhet theksuar se ekziston dhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në rastin ndaj ish kryetarit të Komunës së Rahovecit – i njohur si rasti Qazim Qeska dhe me aq sa mund të bazohemi në këtë aktgjykim, gjykata pati përcaktuar se kur dorëheqjet e zyrtarëve publik jepen në mënyrë publike, ato janë përfundimtare dhe të pakthyeshme”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, ligji për gjykatat nuk e specifikon ndonjë dispozitë që u jep autoritet organeve kushtetuese të Kosovës që t’i refuzojnë ato.
“Prandaj, në linjë me këtë aktgjykim, me sa kam vërejtur ligji për gjykatat, po ashtu edhe ligji për KGJK si dhe Kushtetuta e Kosovës nuk ka specifikuar ndonjë dispozitë që iu jep autoritet organeve qendrore kushtetuese të Kosovës, e as kryetarit të KGJK-së, apo vet Këshillit kompetencë që të vendos t’i refuzojë ato dorëheqje apo jo”, deklaron hulumtuesi i lartë i KDI-së.
Andaj, ai shton se duke u bazuar në përcaktimet e Gjykatës Kushtetuese, duhet të plotësohen vendet vakante me shpalljen e konkursit.
“Prandaj, bazuar në përcaktimet e Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj që në rastin konkret duhet të vazhdohet me plotësimin e atyre vendeve që kanë mbetur vakante vetëm nëpërmjet shpalljes së konkursit nga KGJK për emërimin e gjyqtarëve ashtu edhe nga Policia për emërimin e zyrtarëve policor”, përfundon Vullnet Bugaqku.