EKONOMI

Dollari humb vlerë, euro forcohet në tregjet botërore

Dollari humb vlerë, euro forcohet në tregjet botërore
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Maj 2026, 19:06

Vlera e dollarit amerikan vazhdoi të bjerë në tregjet valutore edhe për javën e dytë radhazi, nën ndikimin e informacioneve se SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë bisedime për vazhdimin e armëpushimit, si dhe për mundësinë e heqjes së kufizimeve për lundrim nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Indeksi i dollarit, i cili ndjek vlerën e valutës amerikane kundrejt gjashtë valutave më të rëndësishme botërore, ra me 0,44 për qind dhe zbriti në 98,81 pikë.

Në raport me euron, dollari u dobësua me 0,63 për qind, ndërsa në fund të javës një euro tregtohej me 1,1678 dollarë. Ndërkohë, kursi i dollarit kundrejt jenit japonez mbeti pothuajse i pandryshuar, në nivelin prej 159,20 jenësh për një dollar.

Ministria japoneze e Financave njoftoi se gjatë muajit të kaluar kishte shpenzuar 11,7 trilionë jenë, ose rreth 73,5 miliardë dollarë, për ndërhyrje në tregun valutor, me qëllim mbështetjen e jenit dhe kufizimin e presionit inflacionist.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrtohen vendime kyçe lidhur me Iranin dhe përsëriti se Teherani duhet të heqë dorë nga çdo mundësi për posedimin e armëve bërthamore. Ai theksoi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për lundrim të papenguar.

Analistët vlerësojnë se pasiguria rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme vazhdon të krijojë pritshmëri të ndryshme te investitorët, prandaj dollari për momentin nuk ka një trend të qartë lëvizjeje.

Presion shtesë mbi valutën amerikane krijuan edhe të dhënat më të fundit ekonomike. Inflacioni në SHBA në muajin prill shënoi rritjen më të shpejtë në tre vitet e fundit, kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të energjisë, ndërsa rritja e ekonomisë amerikane në tremujorin e parë ishte 1,6 për qind në nivel vjetor, më e dobët se vlerësimet fillestare.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika